NGA FATMIR POPJA

ELBASAN-
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini priti në një takim në zyrën e tij, Ambasadoren Franceze në vendin tonë, Christina Vasak, e cila ndodhej në Elbasan në kuadër të disa aktiviteteve të organizuara me rastin e Pranverës Frankofone.

Sejdini dhe Vasak folën rreth zhvillimit të Elbasanit dhe mundësitë e lobimit për afrimin e investitorëve të huaj në Elbasan, sidomos në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik.

“Folëm me ambasadoren franceze për investimet në Elbasan ku së fundmi është duke u hapur një fabrikë franceze e cila do të punësojë 180 persona. Lobimi ynë për tërheqjen e investitorëve dhe krijimi i kushteve që ata të investojnë në Elbasan sigurisht ishte pjesë e bisedës tonë”, tha kryebashkiaku Sejdini.

Ambasadorja e Francës ndodhej në Elbasan në të parën vizitë zyrtare pas rreth 30 vitesh, kur e kishte parë Elbasanin për herë të parë. Ajo uroi Kryetarin e Bashkisë për ndryshimet e jashtëzakonshme që ka pësuar qyteti i Elbasanit.

Ambasadorja e Francës theksoi përpara kryetarit të Bashkisë së Elbasanit se Franca synon rritjen e bashkëpunimit me Shqipërinë, për të rritur imazhin e kësaj të fundit dhe për ta mbështetur në rrugën drejt Bashkimit Europian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb