Kryebashkiaku i Krujes Artur Bushi ka denoncuar në polici një javë më parë humbjen e pistoletës së punës, vulës dhe portofolit. Ai ka deklaruar se vulën dhe armën i mbante në një çantë dhe mund t’i kenë rënë në momentin që ka dalë nga automjeti. Prokuroria e Krujës nis hetimet për ngjarjen, por mbetet ende e pasqaruar përse vula e Bashkisë mbahej në çantën e kryebashkiakut.

Pesë muaj pas zgjedhjes në krye të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi bëhet protagonist i një ngjarjeje të pazakonte.

Kryebashkiaku i Krujës thotë se ka humbur vulën e institucionit dhe armën që mban për shkak të pozicionit të punës.

Ai ka denoncuar në polici humbjen e vulës së institucionit që drejton, armës së punës dhe portofolit të tij personal, ngjarje kjo e ndodhur një javë më parë në qytetin e Krujës. Sipas denoncimit mësohet se ngjarja ka ndodhur në momentin që kryebashkiaku zbriste nga automjeti i tij.

Për këtë ngjarje tashmë kanë nisur hetimet, por mbetet ende e pasqaruar arsyeja përse kryebashkiaku kishte në çantën e tij personale vulën e institucionit.

Sipas burimeve të policisë mësohet se Artur Bushi është paraqitur rreth një javë më parë në Komisariatin e Krujës, ku ka denoncuar humbjen e vulës së institucionit dhe armës së punës. Bushi ka deklaruar se ditën e ngjarjes ai ka pasur në çantë vulën, armën e punës dhe portofolin.

Sapo ka zbritur nga automjeti i tij, ai ka marrë çantën, por s’e ka vënë re se nuk kishte me vete vulën e institucionit dhe armën. Ky duhet të jetë momenti që sipas tij, i kanë rënë nga çanta arma dhe vula, por ai nuk e ka vënë re këtë moment.

Pasi ka përshkruar një distancë rruge nga automjeti, kryebashkiaku ka konstatuar mungesën e dy sendeve që pretendon se i kishte pasur më parë në çantë.

Ai thotë se është kthyer sërish pranë automjetit të tij, por nuk ka gjetur aty asnjë prej sendeve të humbura. Policia e Krujës ka marrë kallëzimin e kryebashkiakut dhe ka nisur hetimet për ngjarjen, duke përcjellë dosjen për hetime të mëtejshme në prokurorinë e këtij rrethi.

Ngjarja është mbajtur e fshehtë nga policia lokale, e cila po heton në konspiracion të plotë, duke tentuar të fshehë denoncimin dhe humbjen e vulës së Bashkisë së Krujës nga kryetari i saj.

“Mapo” kontaktoi Ministrinë e Brendshme për këtë çështje, por nuk mori asnjë përgjigje për rastin në fjalë.

Një zyrtar i këtij institucioni i tha “Mapos” se do interesohej për të mësuar trajtimin e rastit nga policia lokale.

Po ashtu, gazeta “Mapo” kontaktoi edhe ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore dhe një zëdhënëse të këtij institucioni, por askush prej tyre nuk pranoi të komentonte rastin. Ministri Çuçi tha se nuk ka asnjë informacion për këtë rast.

Tashmë, humbja e vulës së Bashkisë së Krujës dhe armës së kryebashkiakut po hetohet nga Prokuroria e Krujës sipas variantit të deponuar nga z. Bushi. Por burime të rezervuara pohojnë se grupi hetimor i çështjes po heton edhe pista të tjera përveç asaj të paraqitur në kallëzim nga kryebashkiaku.

Prej një jave Bashkia e Krujës është pa vulë dhe askush prej drejtuesve të institucioneve përgjegjëse nuk jep të dhëna për zgjidhjen e gjetur, me qëllim ofrimin e shërbimeve për banorët e Bashkisë së Krujës. Artur Bushi, kreu aktual i Bashkisë së Krujës, ka qenë një nga kandidatët vendorë të akuzuar nga opozita përgjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 23 qershorit.

Kreu i opozitës dhe zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike kanë deklaruar publikisht se Artur Bushi ka qenë i arrestuar në Itali për trafik narkotikësh.

“Edi Rama dhe Ilir Meta tallen me qytetarët, duke u sjellë persona të inkriminuar për kandidatë, siç ndodhi dhe në rastin e Krujës, ku Artur Bushi, kandidati i propozuar i PS-së është i skeduar si trafikant droge”, – u shpreh Basha në një takim të zhvilluar në Krujë, më 10 prill të këtij viti. Por kryeministri Rama tha se Artur Bushi nuk ishte dënuar asnjëherë në Itali, çka e vërtetonte edhe dëshmia e tij e penalitetit.

Rrjeti i gazetarëve investigativë BIRN në një shkrim të publikuar më 17 qershor të këtij viti citoi një ish-komandant policie në Gallarate, i cili thotë se Artur Bushi ishte arrestuar nga policia italiane më 11 qershor të vitit 2010 dhe ishte mbajtur në paraburgim deri më 24 korrik të atij viti.

Franco Novati i tha BIRN-it se Bushi dyshohej si pjesë e një organizate kriminale të njohur si ‘banda e Morriggia’-s, që importonte kokainë nga Holanda në Itali.

Por çështja e tij u mbyll pa asnjë dënim, pasi prokuroria nuk arriti të provojë akuzën ndaj Bushit. Në zgjedhjet e qershorit të vitit 2013, Artur Bushi u zgjodh deputet për Partinë Socialiste dhe dy vite më pas ai la mandatin e deputetit për t’u zgjedhur kryetar i Bashkisë së Krujës.

(Mapo/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: