TIRANË- Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka dalë para mediave menjëherë pas mbylljes së protestës duke falënderuar ata që morën pjesë por edhe ata që në pamundësi për të qenë i dhanë kurajë protestuesve.

Kryemadhi i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të tërhiqet pasi jo vetëm shqiptarët por edhe ministrat e tij e kanë lënë vetëm.

“Në emër të gjithë atyre simpatizantëve dhe anëtarëve të LSI-së falënderoj të gjithë qytetarët që ishin atje dhe gjithë ata që në pamundësi për të marrë pjesë ti falënderoj për besimin, forcën, kurajën që i dhanë protestuesve. Dita e sotme ishte një protestë qytetare për të treguar që kjo është një opozitë e bashkuar, qytetare, që e afron Shqipërinë me BE-në dhe është vetëm qeveria e krimit dhe drogës e Edi Ramës që e largon Shqipërinë nga BE. Falënderoj të gjithë ata policë që kryen detyrën e tyre por dënoj ata që dhunuan gazetarin dhe kryeredaktorin e Rilindjes Demokratike. I bëj thirrje prokurorisë të nisë hetimet. Rama është i vetëm, duhet të tërhiqet. Nuk e kanë lënë vetëm shqiptarët vetëm por edhe ministrat e tij. Të largohet dhe t’i japë një shans Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në”, deklaroi Kryemadhi.

FJALA E PLOTË E KRYEMADHIT PAS PROTESTËS
Detyrohem të dal para mediave për të falenderuar të gjithë qytetarët shqiptarë të cilët pretendojnë një jetë më të mirë . Pretendojnë të drejtohen dhe qeverisen nga një qeveri që ata e meritojnë, që e do popullin e tij. Kështu që nëpërmjet kësaj dalje publike në emër të të gjithë atyre simpatizantëve dhe mijëra anëtarëve të LSI-së që morën pjesë sot në protestën e organizuar nga opozita. Të falenderoj të gjithë qytetarët që ishin atje por jo vetëm ata. Por edhe të gjithë ata që nuk patën mundësi për të marrë pjesë në protestë. Që e ndoqën nga shtëpitë e tyre apo edhe nga vendet e punës së tyre, të cilët nuk lejoheshin për të marrë pjesë në protestë.

Ti falenderoj për besimin forcën dhe kurajon që iu dhanë qindra mijërave protestuesve sot në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Dita e sotme ishte një protestë qytetarë për të treguar dhe njëherë se kjo opozitë është një opozitë e bashkuar , për të treguar dhe njëherë që kjo është një opozitë qytetare e cila gjithmonë e më shumë e afron Shqipërinë me BE. Sepse protestat qytetare të opozitës e afrojnë më shumë Shqipërinë me BE. Dhe është vetëm qeveria e krimit dhe e drogës e cila largon çdo ditë e më shumë Shqipërinë nga BE. Sot në emrin tuaj dua të falenderoj dhe të gjithë ata policë të cilët kryen punën e tyre me ndershmëri.

Por dua të dënoj edhe ata të cilët dhunuan gazetarin apo kryeredaktorin e gazetës Rilindja Demokratike. Dhe i bëj thirrje prokurorisë të marrë masat për të dënuar dhunuesit e gazetarëve dhe për të dënuar çdo polic apo çdo segment të qeverisë së krimit të cilët venë dorë mbi gazetarët, mbi qytetarët dhe mbi fjalët e lirë. I bëj thirrje Edi Ramës që të dalë nga tuneli i krimit ku ka hyrë. Të dali dhe ti thërrasë ndërgjegjes së tij nëse i ka ngelur ndopak ndërgjegje , të tërhiqet, të largohet nuk e ndjek më njëri nga mbrapa.

Shqiptarët e kanë lënë vetëm përfundimisht. Por jo vetëm shqiptarët, por tashmë duket hapur që e kanë lënë vetëm ministrat e tij, drejtorët e tij, kabineti i tij. Prandaj nuk ka zgjidhje tjetër vetëm të largohet. Të largohet për t’i dhënë mundësi dhe shans Shqipërisë për të hapur negociatat me Bashkimin Europian. Të largohet për t’i dhënë një shans dhe mundësi Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Atë që Zoti ia ka dhënë me pozicionin e saj gjeografik t’ia japim tashmë si klasë politike shqiptarëve politikisht për të qenë pjesë e BE-së. Falenderoj edhe njëherë të gjithë ata qytetarë. Falenderoj edhe njëherë të gjithë ato djem dhe vajza të reja të cilët sot ishin në bulevard, protestuan me prezencën e tyre, por jo vetëm me prezencën e tyre, dhe me angazhimin e tyre, me zemrën e tyre, me entuziazmin e tyre për t’i thënë Edi Ramës dhe klikës së tij që koha e tij mbaroi. Tashmë ai nuk është më asgjë tjetër.

Tashmë është kthyer thjesht në një send dhe objekt të vjetër, por pa vlerë. Është kthyer në një mbulesë që nuk shërben më për gjë tjetër vetëm për të mbuluar kauçukun e tij në derën e kryeministrisë ku i kujtoi atij dhe gjithë shqiptarëve që ai kauçuk që atij i pëlqen shumë dhe e vlerëson më shumë se shqiptarët. Nuk është as buka, as shkolla, as mjekësia dhe as e ardhmja e shqiptarëve. Nëse Edi Ramës sot i dhimbset kauçuku i derës së kryeministrisë sesa e ardhmja e të rinjve shqiptarë., në qoftë se Edi Ramës sot i dhimbset më shumë pamja e tij, tutat e sportit të tij, kazani i tij dhe tepsia e tij, shqiptarët kanë një obligim dhe një ëndërr më të madhe, Bashkimin Europian, të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe për të pasur një Shqipëri që e meritojnë. Dhe për të pasur një Shqipëri Europiane, të mirë, të bukur ashtu siç Zoti e ka bërë. Prandaj dhe njëherë në emër të LSI-së falenderoj me mirënjohje dhe respekt të gjithë ata qytetarë që ishin sot në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Falenderoj të gjithë ata djem dhe vajza të reja që ishin atje prezent, me prindërit e tyre, me gjyshërit e tyre sepse tashmë shembja e murit të drogës, shembja e murit të krimit ka filluar shumë shpejt. Ka filluar dhe nuk do të mund të ndalet më.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: