TIRANE- Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit të ndërpresë seancën dhe të heqë nga rendi i ditës çështjen e kryeprokurorit. Ajo tha se opozita nuk do të lejojë shkeljen e Kushtetutës.

Sakaq, Kryemadhi është ndalur tek takimi që kryeministri Rama pritet të zhvillojë sot në Bruksel me përfaqësuesen për politikë të jashtme në BE, Federica Mogherini, dhe kryeministrat e tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ndërprit seancën që të rishikojmë rendin e ditës. Ne kemi spostuar vetëm rendin e ditës së enjte, për t’u zhvilluar ditën e hënë. Çështja e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm nuk është absolutisht në rendin e ditës. Duhet të kemi një gjë të qartë, unë e kam nga eksperiencat e mia që shquheni për hile. Hilacakët më të mëdhenj këtu jeni ju, por kjo punë ka marrë fund, nuk ka për të vazhduar kjo histori. Nëse doni një prokuror të përkohshëm që të mbulojë zullumet tuaja, pisllëqet që keni bërë gjatë gjithë kësaj kohe, kjo gjë ka marrë fund. Nuk ka as prokuror të përkohshëm, as të përgjithshëm, as diasporë, as shqiptar, e as ndërkombëtar të mbrojë dhe të mbulojë pastrimin e parave të drogës që po helmojnë shqiptarët. Sot 2.4 % të shqiptarëve janë përdorues të kokainës. Të rinjtë nëpër shkolla përdorin drogë. Edhe këtij këtu i duket normal përdorimi i kokainës, i duket si ushqim i përditshëm, po shqiptarët nuk kanë bukë të hanë, ndërsa ky ka halle të tjera. Udhë të mbarë kur të ikësh të pish kafe, ik dhe mos u kthe më. Mos u kthe më që të shpëtojnë shqiptarët, por të shpëtojë edhe familja jote prej teje”, tha Kryemadhi.

Ajo çka ra në sy gjatë fjalës së Kryemadhit në foltoren e Kuvendit, ishte bluza që ajo kishte veshur me logon e lulediellit. Me sa duket kryetarja e LSI mbështet nismën “Luledielli” në ndihmë të fëmijëve me leuçemi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb