TIRANË- Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim sot me strukturat e njësisë 5 në kryeqytet ku ka bërë sërish thirrje për pjesëmarrje në protestën e 27 janarit të thirrur nga opozita.

Ajo ta se më 27 janar duhet të jenë të gjithë në protestë jo për flamuj partiak por për flamurin e barazisë, për drejtësi, ekonomi, arsim dhe shëndetësi të barabartë.

Kryemadhi tha se Rama kënaqet kur shikon fatkeqësi te të tjerët por se me 27 janar duhet t’i tregojmë se po të duam e rrëzojmë edhe me frymë.

Kryemadhi (1)
FJALA E KRYEMADHIT
Sot jemi këtu me strukturat e njësisë 5 që është një nga strukturat më aktive, por edhe më solide të LSI-së që kemi në qytetin e Tiranës. Nesër do të jemi bashkë me Petritin në Fier në Lushnje, pasdite do të jemi te njësia 11, e kështu me rradhë në të gjithë Shqipërinë. Me një qëllim shumë të thjeshtë, shumë modest por shumë kuptimplotë. Për të zgjuar të gjithë anëtarët e LSI-së, për t’i bërë që të kuptojnë dhe të reflektojnë, jo thjesht për të folur, por për të vepruar. Për të vepruar, sepse është shumë e rëndësishme për të zgjuar popullin i cili në një qëllim të tmerrshëm, dashakeqës apo dhe me nënkuptimet nga më të ndryshmet me të cilat Edi Rama për kaq vite e ka përdorur për propagandën e tij, e ka vendosur jo vetëm politikën shqiptare në rrugën që i intereson atij, por ka vendosur gjithë shtratin e jetës dhe shoqërisë shqiptare në një gjumë letargjik, për të mos reaguar, për të mos qenë vetvetja, por mbi të gjitha për të pranuar këtë realitet të hidhur dhe të zymtë të cilin ne po jetojmë sot. Në fakt ne duhet të zgjohemi, jo për flamurin e LSI, por për flamurin e shpresës, për atë flamur të cilin sot më shumë se kurrë të rinjtë shqiptarë po e tundin fort në rrugët e Europës, në rrugët e Amerikës, kudo në botë, sepse nuk shohin asnjë mundësi dhe asnjë shpresë për të jetuar këtu.

Shumëkush nga ne mund të ketë mëdyshjen dhe dilemën, po mirë ta provojmë të shkojmë të lëvizim. Por nuk mund të thuash që ka një të ardhme Shqipëria, nëse 465.000 të rinj dhe të reja ikin nga Shqipëria për të mos u kthyer më. Nuk mund të thuash që ka një të ardhme Shqipëria kur për vitin 2017, 270 mijë të rinj dhe të reja aplikuan për llotarinë amerikane. Nuk mund të thuash që ka një të ardhme Shqipëria, kur numri i të papunëve rritet çdo ditë dhe më shumë. Nuk mund të thuash që ka një të ardhme Shqipëria, kur çdo ditë e më shumë humbet shpresa e maturantëve, studentëve dhe mbi të gjitha mbarojnë dhe shterojnë ëndrrat e prindërve për fëmijët e tyre. Kjo është fatkeqësia më e madhe që mund t’i ndodhi një kombi dhe faktikisht Shqipërinë ky njeri e ka futur në këtë rrugë. Nuk dua të merrem më me të. Nuk dua t’ja përmend më as emrin, sepse faktikisht i bëjmë nder duke i përmend emrin. Sepse është i vetmi njeri që kënaqet kur shikon fatkeqësi te të tjerët. Por dua që nga sot t’u bëj thirrje të gjithëve pa ndaluar asnjë minutë për të dalë dhe për të protestuar më datën 27. Jo me flamurin e LSI, por me flamurin e barazisë. E them këtë sepse ne kemi nevojë të jemi të barabartë. Kemi nevojë të kemi drejtësi të barabartë, kemi nevojë të kemi ekonomi të barabartë, kemi nevojë të kemi arsim të barabartë, kemi nevojë të kemi shëndetësi të barabartë.

Kemi nevojë të kemi infrastrukturë të barabartë për të gjithë shqiptarët, si për ata që jetojnë në fshatrat më të largëta të Shqipërisë, ashtu edhe për ne që jetojmë në mes të Tiranës. Kemi nevojë të kemi çdo gjë në mënyrë të barabartë, jo standard tjetër për qeveritarët dhe klientët e Edi Ramës dhe standard tjetër për qytetarët e thjeshtë dhe për hallexhinjtë.

Ne duam të ndërtojmë të ardhmen e fëmijëve tanë në Shqipëri. Duam të ndërtojmë të ardhmen e të rinjve ashtu si Kejdi dhe Floida, Endriti e shumë e shumë vajza e djem të reja vendosën për të jetuar, punuar, shkolluar dhe për të dhënë kontributin e tyre në Shqipëri. Ne kemi nevojë për ta shtuar akoma më shumë këtë pjesëmarrje të të rinjve. Në fakt gjithmonë thonë që sa fëmijë ke kur pyesin një grua një burrë apo një familjar. Dhe shumica me krenari thonë kam dy ka tre apo 1. Dhe të gjithë thonë, Zoti ta ruajt dhe ta mbushtë shtëpinë me nipër dhe me mbesa. Në fakt rinia ka një vlerë shumë të madhe për ne shqiptarët sepse të rinjtë janë e ardhmja e familjeve tona. Janë e ardhmja e Shqipërisë dhe mbi të gjitha e ardhmja e një Kombi.

Nuk mund të vazhdojë të ekzistojë një komb i vjetër si Shqipëria, nëse ne nuk do të kemi të rinj në Shqipëri. Nuk mund të ketë të rinj, nëse ne nuk do jua krijojmë shanset atyre për të ndërtuar ëndrrat e tyre, për të ngritur familjet e tyre dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri. Nuk mund të ketë një komb më në Shqipëri, nëse të gjithë këta të rinj dhe të reja do të ikin dhe do të zhduken. Dhe dalëngadalë populli shqiptar, nga populli më i ri që ka qenë në Europë do të kthehet në popullin më të vjetër. Prandaj ky është një mision. Nuk është mision politik, por është historik dhe mbi të gjitha është mision i shpirtit të një nëne. Çdo nënë e cila në zemër ndjen dashuri për fëmijën e saj, çdo ditë nuk duhet të ndalojë për të folur për dashurinë që duhet të kenë fëmijët e saj për vendin. Për dashurinë që duhet të kemi secili nga ne për vendin tonë dhe për të dhënë kontributin.

E them këtë sepse dëgjojmë rëndom fjalime pafundësisht dhe në fakt ndonjëherë fjalimet janë dhe shumë të bukura, janë dhe patetike por mbi të gjitha a janë të vërteta apo jo. Të gjithë po ti pyesësh ndihen të lodhur nga klasa politike dhe nga politika sepse kemi 27 vjet që aspirojmë për të qenë anëtarë të BE, që vazhdojmë të jemi në tranzicion.

Jemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që vazhdojmë të kemi tranzicion, vazhdojmë të kemi probleme me institucione shtetërore, me shtetin, me arsimin me shëndetësinë me çdo qelizë të shtetit shqiptar. Dhe në fakt ndihemi të lodhur dhe nuk shikojmë asnjë shpresë dhe asnjë të ardhme. Por kjo nuk është e rastësishme, kjo gjithmonë ka një qëllim dhe kush është qëllimi? Lodhi shqiptarët, bëji të varfër sesa më të varfër të jenë, sa më të pashkolluar të jenë, aq më kollaj nënshtrohen. Dhe në këtë mënyrë dhe në mënyrën më bastarde dhe më të poshtër veproi Edi Rama në 25 Qershor duke blerë votat e shqiptarëve, duke intimiduar ata, duke përdorur krimin e organizuar, duke përdorur bandat e krimit të organizuar, për të frikësuar shqiptarët, për të presionuar ata dhe me paratë e drogës për ti blerë. Ne tashmë nuk mund ta durojmë dot këtë, sepse nuk mund të pranojmë dot kurrë që fëmijët tanë të jenë argatë të fushave të drogës të Saimir Tahirit dhe të Edi Ramës.

Nuk mund të pranojmë dot kurrë që fëmijët tanë të jenë shërbëtorë të krimit të organizuar. Nuk e pranon asnjë prind i cili ka sakrifikuar pafundësisht për të shkolluar fëmijën e tij me mund dhe me sakrificë. Prandaj më datën 27 janar qytetarët e Tiranës do të protestojnë bindshëm për një arsye, sepse kanë nevojë të ndihen shqiptarë në vendin e tyre. Kanë nevojë të ndihen të barabartë në vendin e tyre. Ne sot gjendemi përballë shumë fenomeneve. Petriti e përdori pak më përpara teatrin që zhvillojnë herë pas here në ekranet televizive. Dhe unë do thoja që arti është një fushë shumë e bukur dhe arti dhe kultura pasurojnë dhe e kënaqin shpirtin e qytetarëve. Por ajo që dua të them dhe që është shumë e rëndësishme është që shqiptarët nuk kanë nevojë që për mjerimin e tyre të shikojnë art.

Për të zhdukur mjerimin që ka pllakosur në Shqipëri, shqiptarët kanë nevojë për punë, për bindje, për forcë, për shpresë, për angazhim. Kanë nevojë për vërtetësi, për një jetë politike të vërtet, për politikanë të vërtetë, për deputetë të cilët e duan zgjedhësin e tyre e respektojnë zgjedhësin e tyre dhe e presin zgjedhësin e tyre. Kanë nevojë për deputetë që tu ngrenë zërin në Parlament, për ministra që të punojnë dhe të luftojnë për ti zgjidhur problematikat e tyre dhe jo për ti mbushur xhepat e tyre. Kanë nevojë për mjek që ti kurojnë dhe ti ndihmojnë ata. Kanë nevojë për ministër shëndetësie që ti japi dhe ti sigurojë ilaçet për të sëmurët.

Kanë nevojë për ministër arsimi, jo të kërcënojnë dhe të zhdukin nga klasat nxënësit të cilët paskan bindje të ndryshme politike apo kanë nevojë më shumë për edukatorë për fëmijët e tyre në mënyrë të tillë që fëmijët e shqiptarëve të rriten të lumtur të denjë dhe me dashuri për atdheun e tyre. Ne mund të flasim pafundësisht për problemet që kanë sot në Shqipëri dhe në fakt problemet janë të shumta. Nuk janë probleme të cilat janë krijuar sot, janë probleme të cilat janë mbartur në 27 vite tranzicion, ashtu sikurse janë probleme të mbartura në kohë dhe në shumë vite më përpara. Por detyra jonë është që ne të japim kontributin tonë dhe të bëjmë maksimumin tonë për ta ndryshuar këtë realitet.

Gjithkush nga ne mund të bëjë shumë pak, por duke bërë secili nga pak, ne të gjithë së bashku bëjmë shumë gjëra të mira, të cilat do ti vlejnë në të ardhmen Shqipërisë. Do ti vlejnë më shumë për të treguar që kur ky popull zgjohet nga gjumi i harresës, zgjohet dhe zgjohet për ti treguar jo vetëm qeverisë së tij, por për ti treguar të gjithëve atyre që nuk kanë sy dhe veshë të shikojnë dhe të dëgjojnë këtë situatë të tmerrshme që po instalohet sot në Shqipëri. Kjo strukturë kriminale e cila po instalohet sot në Shqipëri është një nga problemet më të mëdha që Shqipëria ka pasur në 27 vjet tranzicion. Prandaj dhe protesta e 27 Janarit është një zile, është një gong, është një bërtitje, një thërritje që buron nga shpirti i shqiptarëve, për t’ju thënë të gjithë atyre që nuk e besojnë, ose që nuk duan t’a besojnë, ose që mbyllin sytë dhe veshët, që shqiptarët ekzistojnë.

Shqiptarët janë populli më i vjetër në Ballkan dhe kjo në fakt është edhe krenari për ne, por nga ana tjetër është edhe një nxitje, për tju treguar të gjithë atyre që nuk besojnë te ne shqiptarët. Ne vërtet jemi një popull i vogël, vërtet jemi një popull I varfër, por jemi një popull me një shpirt të madh. Jemi një popull me një zemër të madhe. Jemi një popull mikëpritës, jemi një popull që I presim, I duam dhe I respektojmë miqtë, por jemi dhe një popull që punët në shtëpitë tonë I zgjidhim vetë dhe nuk I lëmë jabanxhinjtë që të na I rregullojnë.

Prandaj data 27 Janar është shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, pa flamuj politikë, pa bindje politike, por për të qenë atje, për të protestuar, për tju treguar që vetëm me një frymë po të duam, ne e rrëzojmë Edi Ramën. Sepse Edi Rama është kryeministri I asaj mazhorance që ka ardhur me mandate të blera me paratë e drogës, por Edi Rama nuk mund të jetë kurrë kryeministri I shqiptarëve. Sepse Shqipëria është një vend I vogël, është vendi I Shqiponjave, dhe nuk është vendi as I harabelave dhe as I zogjve pushverdhë. Kështu që të ketë kujdes ai, dhe të gjithë ata të cilët fshihen pas hijes së tij dhe pas figurës së tij. Sepse Shqipërinë nuk e kanë zhdukur dot me qindra vite pushtues me radhë, nuk mund ta zhdukin dot asnjë grup, asnjë sekt, sepse Shqipëria është një vend i jashtëzakonshëm, është një vend I fortë, dhe mbi të gjitha ka një popull guximtar, trim dhe të vendosur. E them këtë, sepse sot më shumë se kurrë roli I Shqipërisë në rajon është një rol shumë I rëndësishëm. Shqipëria ka qenë një vend, e cila ka qenë kontribuese në stabilitet, dhe në këto vite nën drejtimin e sektit të Rilindjes, është kthyer në një vend që konsumon sigurinë, që është kthyer në një kontribuese të destabilitetit në rajon. Prandaj është shumë e rëndësishme që ti kthejmë këtë identitet, këtë fytyrë të jashtëzakonshme dhe të mrekullueshme që e ka pasur Shqipëria ndër vite si një vend tolerant, si një vend që kontriboun në stabilitetin në rajon si dhe në një vend që mbi të gjitha kontriboun në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në ndërtimin e një sistemi të drejtë dhe të barabartë për të gjithë shqiptarët. Sot më shumë se kurrë ne e kemi të nevojshme për tu organizuar. Takimi sot me strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim të njësisë 5 ishte I domosdoshëm, sepse nëpërmjet jush ne do të shkojmë të trokasim derë më derë, në çdo cep të njësisë 5. Por jo vetëm në njësinë 5, por në të gjithë Tiranën. Më lejoni të them edhe njëherë dhe ta bëj të qartë: Lëvizja Socialiste për Integrim është një realitet që nuk e mohon dot më asnjënjeri. I huaj dhe I brendshëm. Është një realitet politik, për të cilën jeta politike shqiptare ka nevojë. Ka nevojë për LSI-në, për ti dhënë asaj stabilitet dhe garancinë. Ashtu si LSI-ja bëri të mundur votimin e Reformës në Drejtësi me 140 vota. Ashtu si LSI-ja dha votën e saj pa asnjë mëdyshje dhe me symbyllur për 7 ligjet e Reformës në Drejtësi, sot kemi një Reformë në Drejtësi e cila është e kapur dhe do të jetë e kapur derisa të vazhdojë të ndërtohet me 69 vota.

Ashtu siç bën Reformën në Polici, që sot treçerekun e oficerave i kanë në kërkim nga përfshirja në krimin e organizuar dhe në trafikun e drogës, ashtu do ta kthejnë dhe Reformën në Drejtësi në një reformë të krimit të organizuar dhe të bandave të cilat do të uzurpojnë. Por kjo është fjalia e fundit që do të them, dhe po e them këtu nga ju për Reformën në Drejtësi, sepse që nga ky moment nuk do të them më asnjë fjalë dhe nuk do t’ia përmend emrin. Po them vetëm diçka: Reformën në Drejtësi nuk e bëjnë as kriminelët, as deputetët, as ministrat, as politikanët. Reformën në Drejtësi e bëjnë shqiptarët dhe ata do të vendosin për të ardhmen e Reformës në Drejtësi. Mund të miratosh Reforma dhe ligje sa të duash, por nëse populli nuk ti njeh, nëse populli të përbuz, dhe nëse populli të shpërfill ajo reformë nuk ka më asnjë vlerë. Këto ishin fjalët e mia të fundit për Reformën në Drejtësi. Pushka top ju bëftë atyre që duan ta përdorin Reformën në Drejtësi për të mbuluar krimin dhe trafiqet, por jam e bindur, duke qenë se besoj dhe në Zot, asnjëherë Zoti nuk ta lë mangut dhe ta kthen mbrapsht çdo gjë. Për të gjithë ata që I kanë bërë hile, dhe që e kanë tradhtuar vendin e tyre, nuk ja ka lënë mangut asnjënjeri.

Prandaj ne jemi të qetë, do të vazhdojmë në rrugën tonë, për të vazhduar, për të ecur përpara me programin dhe axhendën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Për të bërë të qartë programin dhe alternativat tona të cilat janë shumë të rëndësishme që nga paketa antivarfëri, që nga lufta kundër papunësisë, që nga lufta për të zhvilluar dhe për të ecur përpara me ligjin e arsimit të lartë që është shumë e rëndësishme për të pasur një brez të ri, të shkolluar, të fortë, me integritet dhe me dinjitet. Që nga lufta për të ecur përpara, për të pasur një shërbim shëndetësor I cili është I normave më elementare, për të cilat ka nevojë shqiptarët, për tu shërbyer atyre në çdo vend dhe në çdo cep të Shqipërisë. Për të pasur një infrastrukturë më të mirë, për të pasur një shërbim të mirë për qytetarët, dhe për ta kthyer shtetin shqiptar, institucionet shqiptare në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të njerëzve të cilët kanë nevojë më shumë për ta. Unë ju falenderoj për përkrahjen dhe angazhimin tuaj.
Nuk më mbetet gjë tjetër vetëm tju ftoj edhe njëherë në datën 27 Janar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të treguar prezencën tonë, dhe jo për të treguar përkrahjen tonë politike, jo për të treguar atë çka ne përfaqësojmë politikisht, por për të treguar atë çka ne përfaqësojmë denjësisht. Sepse ne jemi mbi të gjitha shtetas të këtij vendi, dhe ne jemi mbi të gjitha pjesa më e madhe dhe një nga pjesët më aktive që ka kontribuar në ndërtimin e këtij vendi. Ndoshta unë jo shumë, por prindërit e mi I kanë dhënë maksimumin këtij vendi. Dhe jam e bindur që të gjithë ju, prindërit tuaj, gjyshërit tuaj, dhe gjithë ato breza me radhë kanë kontribuar për ndërtimin e këtij vendi, kanë kontribuar për zhvillimin e këtij vendi, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në arsim dhe në edukim gjë që është një nga sfidat tona më të mëdhaja. Sfida e një kombi për të ecur përpara është arsimi. Prandaj edhe beteja jonë me Lëvizjen Rinore për Integrim, me të gjithë të rinjtë kudo që janë është sfida për të pasur një sistem arsimor që e meriton rinia shqiptare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb