TIRANE– Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, është e vendosur që forca politike që ajo drejton të bëjë opozitë të fortë. Por ndryshe nga sa kishte deklaruar më herët, Kryemadhi duket se ka “zbutur tonet” ndaj mazhorancës qeverisëse.

Në nisje të mbledhjes së komitetit drejtues të partisë, Kryemadhi deklaroi se “LSI nuk do jetë në opozitë me PS dhe Rilindjen, por do jetë në opozitë me krimin e organizuar dhe keqqeverisjen”.

“LSI nuk do jetë në opozitë me PS dhe Rilindjen, por është në opozitë me krimin e organizuar dhe keqqeverisjen. Kjo qeveri nuk mund të jetë e majtë. Shqipëria ka nevojë akute për një opozitë të fortë. Ne duhet t’ua kthejmë qeverisjen shqiptarëve me përgjegjshmëri dhe drejtësi për ta”, u shpreh kryetarja e LSI.

Sakaq, kryetarja e LSI iu përgjigj pozitivisht “ftesës” së Lulzim Bashës për krijimin e një fronti të gjerë bashkëpunimi opozitar “kundër krimit të organizuar”.

“Koha nuk pret më, të krijojmë frontin e gjerë opozitar, qofshin ato me forca të majta dhe të djathta. Unë mendoj ta quajmë Front kombëtar kundër krimit të organizuar”, tha Kryemadhi.

Ajo theksoi se në këtë front do pranohej çdo forcë politikë e majtë apo e djathtë, me qëllim për t’i bërë ballë rrezikut të krimit, që sipas saj, ka kapur policinë dhe po shtrin duart edhe tek drejtësia.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: