TIRANE– Kryeministri belg Charles Michel ka zhvilluar një vizitë pune sot në Tiranë ku është pritur nga kryeministri Edi Rama. Pas takimit disa minuta, dy homologët kanë folur në një konferencë për mediat.

Kryeministri Rama ka falënderuar homologun e tij për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe qasjes së politikës së zgjerimit të BE-së. Rama ka theksuar si një mendim të përbashkët të të dyve se Shqipëria meriton vendimin për të hapur negociatat.

“Falënderime dhe mirënjohje kryeministrit të Belgjikës i cili e dha fjalën dhe e mbajti fjalën brenda një kohe të shkurtër, duke ardhur sot të vizitojë Tiranën dhe duke afirmuar miqësinë që na lidh dhe vullnetin dhe dëshirën e vendit që ai udhëheq për të forcuar marrëdhëniet me Shqipërinë. Jemi takuar në mënyrë të përsëritur së fundi dhe kemi diskutuar për perspektivën europiane të Shqipërisë por jo vetëm por edhe për përpjekjet që mund të bëjmë së bashku për të rritur nivelin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar i cili nuk e pasqyron nivelin dhe cilësinë e shkëlqyer të marrëdhënieve politike. Edhe sot biseda u përqendrua tek progresi i bërë në adresimin e prioriteteve kryesore që e lidhin Shqipërinë me destinacionin europian dhe diskutuam edhe për raportin e KE-së.
Ndamë mendimin se me marrjen e këtij rekomandimi nis një fazë e re për vendin sepse i gjithë procesi i integrimit është një proces për vendin dhe ardhmërinë e tij bazuar në një shtet modern dhe institucione demokratike për të cilin ndihmon shumë ky proces dhe nga ana tjetër folëm edhe për sfidat e mëdha që lidhen me këtë proces në vijim.
Ashtu sikundër e kam falënderuar drejtpërdrejt gjatë bisedave edhe sot kryeministrin Michel për mbështetjen e tij të vazhdueshme, inkurajime te tij dhe për gjithë mbështetjen që vendi i tij i jep Shqipërisë dhe qëndrimin ndaj procesit të zgjerimit në tërësi dua ta falënderoj edhe publikisht. Besojmë që Shqipëria meriton një vendim për të hapur negociatat. Jemi të vetëdijshëm që hapja e negociatave nuk është fundi i përpjekjeve tona por fillimi i një faze të re e të gjatë përpjekjesh, kemi besimin se në këtë fazë përpjekjesh kemi edhe mbështetjen e Belgjikës dhe partnerëve tanë”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha gjithashtu se në takim është folur edhe për rajonin dhe bashkëpunimin.
“Diskutuam edhe për rajonin për ecurinë e procesit të bashkëpunimit rajonal dhe nuk është rastësi që kryeministri Michel ndaloi në Tiranë por do të vazhdojë vizitën në Beograd duke dhënë një mesazh të qartë inkurajimi për rrugën ku ka hyrë rajoni.
Duke falënderuar edhe njëherë shumë përzemërsisht i dashur mik dhe duke shpresuar se vizita tjetër të jetë më e gjatë. Sot ishte një ditë me diell por Shqipëria nuk është Tirana, ka shumë për të parë”, u shpreh Rama.

Kryeministri belg Charles Michel u prit me një ceremoni ushtarake para Kryeministrisë. Pas takimit me Raman, Michel do të pritet edhe nga presidenti Ilir Meta. Më pas ai do të udhëtojë drejt Beogradit.
Udhëtimi i Michel vjen në një kohë kur, sipas tij, Evropa ballafaqohet me zgjedhje të rëndësishme, ku marrëdhëniet me Ballkanin kërkojnë gjithashtu zgjidhje.
“Të dy vendet përballen me një sërë sfidash, duke përfshirë sundimin e ligjit, sigurinë dhe stabilitetin gjeopolitik. Përveç situatës në kufirin lindor të Evropës dhe situatën në Evropën Jugore, Ballkani Perëndimor është një problem i madh në marrëdhëniet me Rusinë, e cila dëshiron të zgjerojë ndikimin e saj në rajon”, është shprehur para nisjes kryeministri belg.

(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb