GREQI-Greqia i ka përmbushur objektivat dhe mund ta shohë të ardhmen e saj me optimizëm, pasi rruga drejt daljes përfundimtare nga programet e memorandumit ka përfunduar, deklaroi kryeministri grek, Aleksis Cipras në Selanik gjatë një konference rajonale me karakter ekonomik.

Ai theksoi se viti 2019 do të jetë një vit më i mirë se 2018-a. Në të njëjtën kohë, Cipras shtoi se suksesi i Greqisë ka qenë i vështirë dhe theksoi rolin e konferencave rajonale ekonomike në promovimin e përpjekjeve të përbashkëta dhe të një diskutimi për të gjetur një zgjidhje për transformimin e modelit të prodhimit në çdo rajon, pa paragjykime dhe pa kërkuar kredenciale politike.

“Një nga mjetet tona kyçe për periudhën pas programit do të jetë Strategjia Kombëtare e Zhvillimit”, deklaroi Cipras, duke theksuar se ky do të jetë një plan gjithëpërfshirës strategjik i zhvilluar vetëm nga Greqia dhe jo i projektuar apo i imponuar nga vendet e tjera, por një produkt i planifikimit.

”Kjo do të bazohet në tre shtylla, në stabilitetin fiskal dhe makroekonomik që do të sigurojë kursin autonom të Greqisë, në përkrahjen për punësim, në luftën kundër papunësisë dhe për një shtet më të fortë social si dhe në ndryshimet e modelit të prodhimit të vendit”, shtoi Cipras.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb