Kryeministri i Guinea-Bissau, Umaro Sissoco ka deklaruar se vendi i tij nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një konference të mbajtur sot në Beograd, pas takimit me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, shkruajnë mediat serbe.

“Jam i befasuar me situatën sa i përket Kosovës. Vërtetë nuk kam parë asnjë dokument që flet për njohjen e Kosovës”, ka thënë Sissoco.

Lajmin për njohjen e Kosovës nga Guinea Bisao në vitin 2011 e kishte dhënë kryetari i AKR-së, tashmë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Madje ky shtet figuron edhe në listën zyrtare të shteteve që kanë njohur Kosovën, të publikuar nga MPJ.

Lidhur me deklaratën e kryeministrit Sissoco, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli në një prononcim për Telegrafin ka thënë se si duket kryeministri Sissoco nuk qenka i informuar për këtë gjë.

“Njohja ka ndodhur para 6 viteve dhe nota verbale është në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës. Ky kryeministër është i ri dhe nuk qenka i informuar”, ka thënë Pacolli.

Guinea Bisao ka qenë shteti i 74-të që kishte njohur pavarësinë e Kosovës më 10 janar të vitit 2011.

Guinea-Bissau ose zyrtarisht Republika e Guinea-Bissau është një vend në Afrikën Perëndimore. Ai përfshin një sipërfaqe prej 36,125 kilometra katrorë dhe ka një popullsi prej 1,815,698.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: