Institucioni i Kryeministrisë kërkon të punësojë punonjës në Këshillin e Statistikave dhe sot ka publikuar edhe thirrjen e hapur.

Në njoftimin në faqen e Kryeministrisë bëhet e ditur se kandidatët duhet të jenë akademikë apo përfaqësues të shoqërisë civile dhe të plotësojë disa kritere.

Afati përfundimtar për aplikimet është 30 shtatori 2017. Kërkesat duhet të depozitohen në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë.

THIRRJE E HAPUR PËR KANDIDIMIN SI ANËTARË TË KËSHILLIT TË STATISTIKAVE
Në mbështetje të ligjit nr.9180, datë 5.2.2004, “Për statistikat zyrtare”, të ndryshuar, dhe të vendimit nr.999, datë 25.10.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe procedurat e përfaqësimit, përzgjedhjes, emërimit e shkarkimit, rregullat e funksionimit dhe masën e shpërblimit të anëtarëve të Këshillit të Statistikave”, shpallim thirrjen e hapur për kandidimin si anëtarë të Këshillit të Statistikave.

Konkurrimi është i hapur për përfaqësues që i përkasin botës akademike dhe shoqërisë civile.
1. Aplikanti, përfaqësues i botës akademike, mund të jetë nga radhët e trupit akademik të institucioneve të arsimit të lartë, publik ose privat, të licencuara dhe të akredituara sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë. Ai duhet të plotësojë këto kritere:
Kritere të përgjithshme:
Të jetë shtetas shqiptar;
Të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.
Kritere të veçanta:
a) Të jetë pedagog me kohë të plotë;
b) Të ketë përvojë në punë jo më pak se 10 (dhjetë) vjet në fushën e statistikave ose ekonomisë ose shkencave të natyrës apo në fushën e përpunimit të statistikave gjinore;
c) Të zotërojë tituj shkencorë.

2. Aplikanti, përfaqësues i shoqërisë civile, të jetë nga radhët e organizatave jofitimprurëse, ku gjatë misionit të organizatës përdor ose bën studime në shkencën e statistikës, si dhe ka njohje të mira për gjendjen shoqërore e demografike të vendit, përfshirë edhe treguesit e varfërisë. Ai duhet të plotësojë këto kritere:

Kritere të përgjithshme:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë të për kryerjen e një vepre penale.
Kritere të veçanta:

Të jetë i punësuar me kohë të plotë në organizata të shoqërisë civile, që kanë përvojë në fushën e statistikave ose ekonomisë, ose shkencave të natyrës apo shkencave sociale;
Të ketë përvojë pune në njërën prej këtyre fushave jo më pak se 3 (tre) vjet;
Të ketë përvojë në përdorimin e të dhënave statistikore. Afati i dorëzimit të aplikimit: deri më 30 shtator 2017.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb