Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, dënoi “sulmin frikacak” në metronë e Londrës, i cili, sipas saj, ka pasur qëllim “të shkaktojë dëm të konsiderueshëm”.

Policia Metropolitane e Londrës tha se një “pajisje improvizuese shpërthyese” është përfshirë nga flakët, në metronë e qytetit.

Policia tha se hetimet po bëhen si për një incident “terrorist”. Ajo njoftoi se 12 persona janë plagosur, por se asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën.

Sulmi ndodhi në një tren në stacionin Parsons Green, në jugperëndim të Londrës. Sky News citoi një zyrtar të policisë të ketë thënë se pajisja nuk ka shpërthyer plotësisht, raporton rel.

Kryeministrja May tha se niveli i kërcënimit terrorist në Mbretërinë e Bashkuar mbetet i lartë.
Kryetari i Londrës, Sadiq Khan, tha se terroristët i kanë rritur përpjekjet për të vrarë dhe shkatërruar jetë.

“Sulmi terrorist këtë mëngjes, ka qenë përpjekje e individëve të këqij dhe frikacakë për të vrarë, plagosur dhe prishur mënyrën tonë të jetesës”, tha Khan.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb