TIRANË- Gazetari Artan Hoxha e ka krahasuar situatën e sotme me atë të vitit 2005 të qeverisë së Fatos Nanos. Në emisionin “Studio e Hapur” në News24, Hoxha tha se me numrin e lartë të zyrtarëve të përkohshëm, duke përmendur Kryeprokuroren e Përkohshme dhe Drejtorin e komanduar të Policisë së Shtetit, jemi kthyer si në kohën e Fatos Nanos që drejtonte me 6 zv/ministra.

Ai tha se Çako duhet të ishte larguar pasi liroi vetë drejtorët e qarqeve që po vetë i kishte emëruar pasi akuzoheshin për drogë. Sipas Hoxhës mosmarrëveshjet mes Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe ish-drejtorit të Policisë ishin të dukshme dhe se Haki Çako ka qëndruar deri sot në detyrë vetëm nga mbështetja e kryeministrit.

“Për mua Haki Cako ishte i rënë moralisht nga detyra që në mars të 2017. Situata është e ngjashme me 2005. Fakti që Haki Çako ka ndenjur deri sot, ka qenë mbështetja që ka pasur nga kryeministri. Edhe më parë ministri i Brendshëm ka pasur disa raste që ka dashur ta zëvendësojë po nuk ka gjetur gjuhën me kryeministrin. Ky ka qenë momenti që kryeministri nuk ka mundur ta mbajë më. Por ndarja mes Xhafajt dhe Çakos ishte e dukshme. Në rastin e përmbytjeve ka dalë drejtori i Tiranës dhe ministri i brendshëm. Çako ka dalë më pas. Po kështu ministri i brendshëm ka qenë në Fier, Rama me drejtorin e përgjithshëm në Urën Vajgurore. Dukej qartë që komunikimi mes Xhafajt dhe Çakos nuk ishte normal”, tha Hoxha.

Ai u shpreh se “për emrin që do të zëvendësojë Çakon duhet të bien dakord Xhafaj dhe Rama”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb