TIRANE- Ftesa e kryeministrit Rama drejtuar kreut të opozitës Lulzim Basha për dialog, në mënyrë që të zgjidhet çështja e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm, ka ngjallur debat në emisionin “Studio e Hapur” me Eni Vasilin. Në një përballje në studion e “News 24”, deputetja e PS-së Ermonela Felaj dhe deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj, kanë shprehur qëndrimet e tyre sa i takon zgjedhjes së kryeprokurorit të ri, dhe qëndrimeve të forcave politike lidhur me këtë çështje.

Deputeti demokrat tha se Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të zgjidhet me një marrëveshje politike, pasi shkelet kushtetuta. Alibeaj tha se një zgjidhje e tillë, siç e kërkon kryeministri Rama sipas tij, është antikushtetuese dhe anti vetting.

“Kushtetuta thotë se për të zgjedhur prokurorin në do kohë, duhen dy kushte: së pari të zgjidhet me 3 të 5 e votave pra me 84 vota, kushti i dytë është se Prokurori i Përgjithshëm para se të trokasin duhet të kalojnë më parë nga vetting. Pra vetting dhe votim me 3 të 5, në të kundërt nuk ka Prokuror. Rama thotë hajt ta zgjedhim me pazar”, tha Alibeaj.

Pas kësaj ka ndërhyrë deputetja Felaj, e cila tha se opozita nuk e ka dashur asnjëherë vettingun dhe nuk e ka votuar atë.

“Sot jemi më afër BE-së, dhe BE kërkon se përpara se të nisim negociatat të vijojmë me reformën në drejtësi. Ju nuk e keni dashur. Ligji për Vettingun e parashikon që për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, prokurorët dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm do të bëhet me përparësi”, tha deputetja Felaj.

Por sipas deputetit demokrat, një nga kushtet kryesore për integrimin e vendit në BE është lufta kundër krimit, ndaj sipas tij “për këtë arsye Rama po zvarritet dhe po i përgjërohet PD-së për një pakt, që në fakt është një pazar politik”.

Duke u ndalur tek çështja e kryeprokurorit, Alibeaj shtoi se “Kanë vendosur kritere selektive për të çuar aty njerëzit e tyre. Ndaj nuk ka kandidatë. Nuk bëhet fjalë për Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm, por do të jetë misionar i Ramës”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb