TIRANË- Analisti Andi Bushati ka komentuar nga studio e “Opinion” në News24 çështjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm si dhe qëndrimin e palëve përballë emrit që do të drejtojë organin kryesor të akuzës në vend. Bushati foli për alibi nga ana e deputetëve të maxhorancës që kërkojnë të zgjedhin një kryeprokuror të ri pa kaluar sitën e vettingut. Nga ana tjetër ai tha se Basha nuk e ka luksin të shkojë në një marrëveshje ku do dalë i humbur, raporton “BalkanWeb”.

“Ka një debat të madh kryesisht juridik. Opozita thotë nuk mund të ketë, fryma e Kushtetutës nuk e lejon që të ketë një kryeprokuror me shumicë të thjeshtë.
Maxhoranca ka gjetur një kleçkë në ligjin e prokurorisë dhe thotë se ky është një prokuror tranzitor që mund të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë. Duhet parë sjellja politike e palëve. Ke eksponentë të socialistëve që thonë nuk është tragjike, që kryeprokurori do zgjidhet pa procesin e vettingut. Pra duan të zgjedhin një prokuror të përgjithshëm pa kaluar nga sita e vettingut. Përveç kritereve ka disa parime bazë se si duhet zgjedhur. Në qoftë se do kishim një prokuror të përgjithshëm në detyrë, do kalonte nga ligji i vettingut dhe binte ai s’mund ë rrinte më Prokuror i Përgjithshëm. Po si mund të zgjidhet një prokuror pa kaluar nga sita e vettingut? Alibia tjetër është pse e bëni kaq të madhe sepse ky Prokuror për një muaj është. Por sa do zgjasin procedurat e emërimit. A mundemi ne që me shumicë të thjeshtë dhe pa vetting të zgjedhim një Prokuror që mund të rrijë në detyrë edhe 2 vjet. Ky prokuror nuk ka çelësat e kashtës por ka në dorë transferimin dhe pezullimin e prokurorëve.
Është e shkruar e zeza mbi të bardhë në ligj që ky prokuror i përgjithshëm mund të pezullojë vartësit e tij. Këtu ka një problem. Nga problemi juridik dalim në një problem politik. Po bëhet kjo sepse është inteligjente apo se socialistët duan të venë një kryeprokuror për të mbrojtur veten e tyre?”, tha Bushati.

Lidhur me propozimin e kryeministrit për kreun e PD-së, ai tha se ftesa e Ramës është e pasinqertë.
“Zoti Basha ka thënë diçka të ngjashme në parlament, kur e pyetën ‘kur më gënjen një herë është turpi yt kur më gënjen dy herë është turpi im’. Basha nuk e ka më luksin të shkojë në një marrëveshje ku të dalë i humbur. Ftesa e Ramës është ftesë e pasinqertë. Ti nuk mund të thuash hajde biem dakord bashkë por nëse nuk biem dakord bashkë unë e zgjedh vetëm. Por lexove letrën e Ramës ka një frazë që nuk shkon. ‘Unë dua të bisedoj me ty, por kam edhe votat vetë’. Kur i ke vazhdo vetë, s’ka nevojë për kompromis”, u shpreh Bushati.

Për sa i përket opinionit të ndërkombëtarëve për kryeprokurorin e ri analisti tha se nuk ka presion por mbështetje për Ramën.

“Nuk mendoj se ka pasur presion ndaj Ramës për një kryeprokuror konsensual, por duket se Rama ka një mbështetje të tërthorë ndërkombëtare për të zgjedhur kryeprokurorin edhe vetë. Këtu duket sikur ka një paradoks tek debati që bëjmë. Edhe thoni që është gabim, edhe thoni se ndërkombëtarët e mbështesin”, tha ai.

Bushati i dha të drejtë Presidentit të Republikës Ilir Meta, lidhur me deklaratën se Kryeprokurori i ri është një çështje ekskluzivisht e parlamentit

“Për prokurorin Meta ka të drejtë. Po t’i kthehemi traditës dhe si ka qenë ligji më parë, mund të krijohet një konfuzion se presidenti ka të drejta në zgjedhjen e kryeprokurorit. Sot Meta nuk ka asnjë të drejtë. Por, aq sa i ka peshë fjala në prononcimin e Metës përmendet fryma e Kushtetutës. Është një kryeprokuror që nuk zgjidhet vetëm nga një palë”, u shpreh Bushati.

Ai theksoi se socialistët do i shkojnë deri në fund çështjes së nisur, pra zgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm.

“PS ngul këmbë dhe me sa duket ata do i shkojnë deri në fund rrugës që kanë nisur. Besoj se socialistët do i shkojnë deri në fund rrugës që kanë nisur.

Nesër Komisioni i ligjeve do të marrë në shqyrtim kandidaturat. Nuk ka rëndësi nëse do ketë shumë apo një kandidat. Problemi është të kemi një proces të rregullt. A mundet që një shqiptar të pranojë që nëse është folur për 2 vjet për vettingun, të zgjidhet një prokuror i përgjithshëm pa vetting. Nuk ka rëndësi janë 1 apo 20 kandidatë, rëndësi ka nëse do zgjidhet brenda rregullave të lojës”, tha Bushati.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb