TIRANË- Kreu i organit të akuzës, Adriatik Lalla ka zhvilluar sot takimin e dytë me kryeministrin e vendit, Edi Rama që nga dita kur deputeti Tom Doshi deklaroi se ndaj tij ishte planifikuar një komplot për ta vrarë së bashku me deputetin e PD, Mhill Fufi.

Takimi i sotëm mes Llallës e Ramës u zhvillua në kryeministri dhe zgjati disa minuta. Ky takim vjen në një kohë kur të gjithë personat politikë që dyshohet të kenë pasur dijeni për ekzistencën e një komploti për eliminimin fizik të Tom Doshit, kanë dëshmuar pranë organit të akuzës gjithçka dinin për këtë ngjarje. Madje sot në Prokurori janë përballur deputeti Mark Frroku e Tom Doshi.

Nuk dihet nëse kryeprokurori e ka njohur kreun e qeverisë me ecurinë e hetimeve të kësaj çështje, apo tema e diskutimit mes të dyve ka qenë diçka tjetër.

Takimi i parë mes Lallës e Ramës është zhvilluar në kryeministri, në prani të kryeparlamentarit Ilir Meta, ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe deputetit të LSI-së, Spartak Braho. Ky takim u bë para se Doshi të publikonte videon, ku Durim Bami i rrëfente për të ashtuquajturin atentat që i kishin rezervuar Doshit.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: