TIRANE- Partia Demokratike dhe Partia Socialiste do të protestojë të hënën para Kuvendit ndërsa pritet të zgjidhet edhe Kryeprokurori i Përkohshëm. Kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili flet për rregulla të ndryshuara në fund të lojës dhe drejton gishtin nga kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manjën për një gjë të tillë.

Duke iu referuar deklaratave të Manjës, Vasili tha në një prononcim për “BalkanWeb” se në në fund të seancave dëgjimore për 7 kandidatët për Kryeprokuror të Përkohshëm, në raportin që do i dorëzohej Kuvendit do renditeshin të gjithë kandidatët dhe Kuvendi do të zgjidhte mes kandidaturave që plotësojnë kriteret.

Ai shtoi se dje, Komisioni i Ligjeve ndryshoi rregullat e lojës duke skualifikuar nga gara 4 kandidatë dhe duke lënë në garë 3, Arta Markun, Ferdinand Elezin dhe Ermira Tafanin.

Ndryshe nga çfarë deklaroi Manja, Vasili i referohet një deklarate të zonjës Hysi, sipas të cilës kandidatët nuk kalojnë në Kuvend nëse nuk marrin 28 firma deputetësh.

Ndonëse kjo procedurë nuk përmendet në asnjë rresht të vendimit të Komisionit të Ligjeve, ishte vetë Vasilika Hysi ajo që deklaroi mbrëmë në një emision televiziv se çdo kandidati i duheshin 28 firma. Referuar faktit se një deputet nuk mund të firmosë për dy kandidatë, si dhe faktit se PS ka 74 vota, ajo mund të çojë në votim vetëm dy kandidatë.

Duke e cilësuar të turpshme këtë lojë me procedurat, Vasili tha se kjo është tentativë e Partisë Socialiste për të ngushtuar garën.

“Kjo lojë me rregullat ku edhe zërat brenda PS nuk janë në një mendje tregon që procesi është i paligjshëm dhe antikushtetues”,- u shpreh ai për “BalkanWeb”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb