TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet i bindur se Kryeprokurori i përkohshëm do të përdoret për mbylljen e dosjeve të mëdha nën hetim. Duke folur në Top Story-n e kësaj të marte, Basha thotë se përmes kësaj po synohet të shkatërrohet reforma në drejtësi, që e quan shpresë të shqiptarëve.

“Po përpiqen të shkatërrojnë shpresën tjetër të shqiptarëve, që është reforma në drejtësi duke e kapur atë dhe duke mbrojtur krimin, duke shkatërruar dosjet e krimit, të ndalimit apo kompromontimit të dosjeve të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Balilajt dhe Habilajt, që janë konfirmuar si shtyllë dhe aleatë të pushtetit të Ramës”, shtoi kreu i PD.

Sipas kreut të PD-së nuk ka asnjë mënyrë tjetër që Rama të mbrojë veten dhe ministrat e tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

“Pa kapur institucionet me vendime ekstraligjore, ekstrakushtetuese. E keqja ka kapluar sot edhe institucionet e pavarura. Kjo është një krizë e thellë e vendit. Ne nuk mund të jemi një opozitë europiane, normale kur ne nuk kemi zgjedhje normale, kur shkelja e Kushtetutës është një precedent që zor se e qenë në diktaturat afrikane dhe aziatike”, thotë Basha.

Kryedemokrati shton gjithashtu se tashmë nuk bëhet më fjalë për krizë prokurori, por për një krizë më të madhe.

“Ka krizë kushtetuese, produkt i një krize politike: kemi një qeveri pa mandat popullor një Parlament që ka dalë nga zgjedhje të tjetërsuara me paratë e drogës dhe krimit dhe paratë e drogës dhe krimit janë vetë problemi”, u shpreh ai.

INTERVISTA
Pse është perceptimi që ky vit nuk ka qenë i mirë as për vendin, as për opozitën?
Nuk është thjesht perceptimi. është e vërteta se për vendin ka qenë një vit i tmerrshëm sepse gjithçka e keqe e akumuluar në 4 vitet e qeverijses së mëparshme të Edi Ramës shpërtheu dhe efektet i ka ndjerë qytetarët në kurrizin e tyre. Çfarë kam parasysh?! Shpërtheu problemi i jashtëzakonshëm i drogës, si një darë mbi ekonominë e mbytur shqiptare duke shkatërruar më shumë vende pune, duke futur vendin në një cikë​l krize ekonomike ku bizneset e ndershme mbyllen apo blihen me paratë e drogës dhe paratë e drogës diktojnë një axhendë ekonomike nga e cila përfiton vetëm një grusht njerëzish dhe çdokush tjetër vuan. Përfaqësuesit e biznesit më shprehën në një takim shqetësimin e thellë për një krizë të vërtetë të raportit kërkesë-ofertë.

Dhe kjo vjen për dy arsye kryesore: E para, sepse faktorë kryesorë të ekonomisë janë nën presion. Faktori i parë është fuqia punëtore shqiptare është nën presion të jashtëzakonshëm. Marrim dy kategori njerëzish, marrim mjekët. Sot kemi më pak mjekë për frymë sesa në kohën e komunizmit, kjo për një arsye të thjeshtë sepse mjekët po largohen masivisht nga Shqipëria. Marrim kategorinë e dytë, sipërmarrjen. Edhe sipërmarrja po emigron, po emigron kapitali i sipërmarrjes, po emigron vetë sipërmarrësi. Po emigrojnë asetet, kompanitë dhe po zgjedhin të largohen nga Shqipëria për një jetë më të mirë për veten e tyre dhe për fëmijët e tyre. Ky është tmerr i vërtetë për një vend; që të largohen sipërmarrësit, të largohen mjekët, të largohen intelektualët, të largohet shtresa e mesme, të largohet rinia. Pra, nuk është thjesht një perceptim, është realiteti një Shqipërie që po vuan një krizë ekonomike, një krizë politike dhe një krizë të thellë morale dhe krizë besimi.

Duket se nga kjo krizë nuk kashpëtuar dhe opozita… Çadra, marrëveshja, rezultati i dobët, përçarja, Mungesa e një opozite të fortë ka bërë që vendi të vuajë edhe më shumë arrogancën e këtij pushteti.
Qëndresa e opozitës këtë vit, 3 muaj në 12 muaj ditë e natë, hedh poshtë këtë premisë që po shtroni. Nuk ka patur opozitë më të vendosur, më kurajoze dhe që ka përdorur të gjitha mjetet demokratike dhe paqësore për të vendosur për t’iu kundërvënë krimit në pushtet dhe pushtetit të lidhur me krimin, për t’iu kundërvënë parave të pista të drogës dhe të korrupsionit si mjet për të diktuar vazhdimin e një sundimi mafioz në vend që të hapet një kapitull i politikës demokratike ku qytetarët vendosin në bazë të ofertave të partive se kush do të qeverisë vendin. Kjo është kriza sot. Kriza është që demokracia sot është e asfiksuar, rezultati i krimit në pushtet, rezultati i kriminelëve në Parlament, në krye të bashkive të vendit, rezultati i Shqipërisë mbuluar me drogë është viktimizimi i demokracisë, që do të thotë viktimizimi i qytetarëve si vendimarrës. Një e drejtë qe e kemi fituar 27 vite më parë këtë vit është asgjësuar. Kur flasim për asgjësim, kemi parasysh që shqiptarët nuk kanë sot as Parlamentin që do të votonin në kushte të lira e të ndershme, as qeverinë që do të zgjidhinin në kushte të lira e të ndershme. Pra, kemi një krizë politike e cila manifestohet në shkallën e vet më të lartë, krizën zgjedhore. Kur në një vend asgjësohen zgjedhjet e lira e të ndershme, gjithçka tjetër ka marrë fund.Kjo qeverisje politikisht është e mbaruar, e vdekur. Ky është një kryeministër politikisht i vdekur, i zënë në qarkun e zullumit të vet, zullum i cili sa vjen e thellohet.

Mendoni vërtetë që Prokurorja e përkohshme do të mbyllë dosjet e Tahirit dhe të tjerave, do të ndërhyjë në punënë e prokurorëve? Vërtetë ju jeni skeptikë apo keni bindje për këtë?
Qëllimi i reformës në drejtësi është një drejtësi e pakapur politikisht. Qëllimi i reformës në drejtësi është kontrolli i integritetit dhe profesionalitetit të figurës së gjyqtarit dhe prokurorit. Ku jemi sot?! Sot kemi një kryeprokuror pa veting, sot kemi një kryeprokuror për herë të parë me më pak se gjymën e votave të Kuvendit, pra, kapur politikisht nga një parti. Nga një parti e cila nuk është në nisje të mandatit të saj, por është në mes të një mandati të njollosur nga aferat më të mëdha kriminale dhe korruptive. Nuk ka fare rëndësi se cili person u kap dhe u vu në atë detyrë. Mënyra se si u bë padyshim deligjitimon dhe diskrediton cilindo person, qoftë kjo edhe e shenjta Nënë Terezë, po të ishte zgjedhur, (se nuk dua të bëj krahasime që nuk qëndrojnë) pra, kushdo qoftë personi, mënyra se si u keqpërdor duke u emëruar në një pozicion pa veting, pa konsensus politik, në një moment kritik për hetime të tilla si dosja e Saimir Tahirit, i pari ministër i Brendshëm historinë e Europës 4 vjeçare, krahu i djathtë i kryeministrit i kapur në flagrancë nga përgjimet e Antimafies italiane si koka e trafikut ndërkombëtar të drogës. Pra, në këto kushte do të thoja është utopike që ne të shpresojmë se një emërim i tillë nuk ka pasur apo nuk ka një funksion të vetëm; mbylljen e dosjeve të krimit, sabotimin e reformës në drejtës si shpresa e vetme pas shkatërrimit të zgjedhjeve për të çmontuar lidhjet e krimit me politikën që janë sot e gjithë ditën arsyeja kryesore pse Shqipëria është në krizë politike, ekonomike dhe morale.

Pra, nuk ka krizë prokurori, ka krizë kushtetuese e cila është produkt i krizës politike. Cila është kriza politike?! Kemi një qeveri pa mandat popullor, një Parlament që ka dalë nga zgjedhjet të tjetërsuara me paratë e drogës dhe krimit dhe paratë e drogës dhe krimit janë vetë problemi. Sepse tani vetë peshqit e mëdhenj që kanë përfituar nga paratë e drogës, krimit janë kapur në rrjeta ndërkombëtare siç është rasti i Saimir Tahirit, i cili natyrisht nuk mund ka vepruar si kokë më vete por lidhet drejtpërdrejtë me njeriun që sot ka çelësat e Kryeministrisë. E pra, kjo është thelbi.

Megjithatë, nga ana tjetër juve iu ofrua ky konsensus politik….
Jo, nuk e pranoj këtë.

Dakord, nuk e pranoni se ju thoni Kushtetuta.
Sepse nuk është e vërtetë që mund t’i ofrohet opozitës të bëjë pazar me kryeprokuroren. Iu ofrua pazari, por jo konsensusi.

Përse PD nuk e çon çështjen në Gjykatën Kushtetuese?
PD po e shqyrton këtë mundësi, ku ka dy linja mendimi, ndjekja e rrugës institucionale dhe lonka tjetër se gjatë qeverisjes së Ramës Shqipëria është zhytur në një krizë të thellë demokracie, në një krizë të thellë institucionesh dhe në një krizë të thellë kushtetuese dhe politike e cila nuk mund të zgjidhet, duke pretenduar se në këtë vend funksionojnë institucionet. Nëse një mazhorancë vendos të shkelë haptas në mënyrë flagrante Kushtetutën, dhe e zhbën një investim të madh të shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar siç ishte reforma në drejtësi, përgjigja nuk mund të jetë thjesht dhe vetëm “çoje në Kushtetuese”.

Përkundrazi, ky është një kapak floriri për mazhorancën. Kjo është mundësia për të blerë kohë që ndërkohë përmes këtij investimi, të shkatërrohet plotësisht aspekti i reformës në drejtësi, që ka të bëjë me Prokurorinë, që emëron seimenët dhe benjaminët e mazhorancës në KLP. Në këtë mënyrë edhe prokurori i përhershëm dhe aftësia e prokurorisë për të çuar deri në fund hetimin e Sajmir Tahirit, i cili është kapur dhe një herë në flagrancë nga Antimafia jo thjesht nga opozita. Edhe mundësia për të hapur hetimet për Vangjush Dakon, i cili po kështu sipas informacioneve që vijnë nga institucionet e mirëinformuara është përgjuar nga agjensitë ndërkombëtare duke komunikuar me bandat e Durrësit për shitblejrjen e votës në Durrës, të gjitha këto të mbyllen. Mbyllen sepse lidhja e këtyre dy figurave me Edi Ramën, dihet katërcipërisht. Pra kemi të bëjmë me një investim për fatin e një njeriu, për pushtetin e një njeriu, për pasurimin e një njeriu dhe një grushti njerëzish në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me reformën në drejtësi, në kundërshtim me aspiratat e të gjithë shqiptarëve për të pasur një vend që shkon drejt normalitetit. Zgjedhjet asgjesohen, reforma në drejtësi pëson një godije që mund të jetë fatale për të. Cila rrugë mbetet ? Gjykata kushtetuese? Absolutisht jo.

Alibia se kjo mund të zgjidhet nga gjykata Kushtetuese është një narkozë e vlefshme për narkoshtetin, e vlefshme për klanin kriminal dhe e dëmshme për një shoqëri të tërë.
Është e tepërt utopike, cinike të kërkojmë që këtë situatë të na e zgjidhin 6 apo 7, sa kanë mbetur gjyqtarë kushtetues, të cilët po kështu mund të ndodhen para presionit, shantazhit, apo joshjes sepse duhet ta kuptosh që Edi Rama ka kapur çdo pushtet. Ka dorë të hekurt në qeveri, ka dorë të hekurt në Parlament. Nuk funksionon qeveria si një bashkësi personash me integritet por si një harem personal i kryeministrit. Të njëjtën gjë mund të themi dhe për Parlamentin, ka kapur kryeprokurorin, është vetë kryeprokuror tani. Ka një dorë të hekurt përsa i përket mediave. Përmes monopoleve qeveritare sundon ekonominë. Dhe në këtë situatë e vetmja shpresë është një bashkim i madh i shqiptarëve ndaj të cilëve ka për detyrë opozita ti prijë si koncept, jo thjesht si parti apo bashkim njerëzish, por si koncept opozita politike ka detyrën t’i prijë.

Ju thoni që Zoti Rama është kryeprokuror i vendit dhe ky nuk është nje perceptim i vogël, por një perceptim i gjerë. Duket se më shumë se sa Edi Rama, te kryeprokurori i përkohshëm u investua amabasada e SHBA…
Nuk ka asnjë informacion që ta mbështes këtë supozim.

Mbrojtën mënyrën sesi ajo duhej të zgjidhej. Doli OPDAT, EURALIUS, doli vetë z, Lu dhe mbajtën një deklaratë të fortë…
OPDAT, EURALIUS e kanë gabim. Opinioni i tyre s’ka asnjë vlerë ligjore, ka zero vlerë ligjore dhe nga ana e argumentave, është një gabim trashanik.

Edhe kur del ambasada amerikane nuk ka vlerë ligjore…
Unë nuk komentoj ambasadat dhe ambasadorët, po mund t’iu them se që mosdenoncimi i drogës ishte gabim, mos shkuarja deri në fund e dekriminalizimit ishte gabim. Dhe se mbështetja e shkeljës së Kushtetutës dhe në vecanti reformës në drejtësi që është një investim i përbashkët, do të ishte një gabim trashanik. Nuk do të zgjidhte asgjë. Do të binim në të njëjtat pozita të qëllimi justifikon mjetin dhe kjo do na çojë në një katastrofë totale. Nuk do të na cojë aty ku duam të gjithë, në një reform në drejtësi me gjyqtarë dhe prokurorë me integritet që luftojnë dhe nuk mbrojnë krimin dhe korrupsionin, por do të na çojë në kukulla, në duart e një mazhorance të kapur në flagrancë, në shtrat me krimin.

Mënyra për ta ndryshuar këtë situatë nuk është as duke heshtur, as duke pranuar, as duke shpresur se qëllimi i mirë mund të justifikojë mjetin e keq. Opozita ka patur të drejtë. PD ka pasur të drejtë, koha na ka dhënë të drejtë për dekriminalzimin, për luftën kundër drogës, qëndrimin tonë për reformën në drejtësi, për qëndrimin tonë për zgjedhjet. Në këto katër kauza opozita ka patur të drejtë. Detyra jonë tani është që në këtë errësirë shpirtërore në radhë të parë, psikologjikë për shqiptarët, po ashtu politike, institucionale dhe ekonomike, të ndezim një dritë shprese. Dhe këtë dritë shprese ne do ta ndezim me të gjithë shqiptarët e ndershëm. Duke u bashkuar në një aleancë vlerash që ka të gjithë fuqinë numerike, shpirtërore, dhe politike për t’iu kundërvënë të keqes. Edhe me gjithë këto mjete me qindra million euro të drogës, me institucione të kapura, me media të kapura, me ekonomi që ngëlçon nga monopolet në dorë të një grushti njerëzish apo kryeministrit, prapë se prapë, e keqja është pakica. Shumica dërmuese e shqiptarëve nuk pajtohen me këtë gjendje. Opozita jo se jo. Prandaj hapi i parë dhe lajmi i mirë për Vitin e Ri është ndërtimi i një aleance vlerash me këdo që beson se, Shqipëria nuk është në rrugën drejt një Shqipërie europiane, por është drejt një errësirë absolute. T’i kundërvihemi të keqes me të gjitha forcat dhe të gjitha mënyrat dhe të hapim një kapitull të ri. Duke rikthyer zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Duke zbatuar reformën në drejtësi, duke cliruar ekonominë dhe duke i dhënë mundësinë njerëzve të jetojnë me nder dhe dinjitet në shtëpitë e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: