TIRANË- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Presidentin e Parlamentit Evropian Martin Schulz me të cilin biseduan rreth bashkëpunimit mes dy parlamenteve, ecurisë së procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimeve në rajon.

Kryetari i Kuvendit, Meta e cilësoi vizitën e Presidentit të Parlamentit Evropian z. Schulz në Tiranë si një tregues të qartë të vëmendjes dhe mbështetjes së BE-së për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të rajonit. Meta vlerësoi bashkëpunimin mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian dhe shprehu mirënjohjen për përkushtimin e vazhdueshëm të grupeve kryesore politike të Parlamentit Evropian në drejtim të forcimit të dialogut dhe bashkëpunimit politik në Shqipëri.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz shprehu kënaqësinë e vizitës së tij në Shqipëri dhe vuri në dukje se vendi ka bërë progres të dukshëm gjatë këtyre viteve të fundit. Schulz theksoi se marrëdhëniet mes dy Parlamenteve janë të rëndësishme, duke marrë në konsideratë se miqtë dhe mbështetësit më të fortë të Shqipërisë në BE gjenden në Parlamentit Evropian.

Kryetari Meta dhe Presidenti Schulz diskutuan gjithashtu edhe për ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria, veçanërisht asaj në drejtësi, dhe ndanë bindjen e përbashkët se sa më e lartë të jetë cilësia e realizimit të tyre, aq më i shpejtë do të jetë avancimi i Shqipërisë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Schulz bëri një vlerësim edhe për përqasjen dhe angazhimin pozitiv të Shqipërisë në rajon, duke vënë në dukje se kontributi i Shqipërisë në drejtim të politikës së fqinjësisë së mirë, e ka rritur besimin e ndërsjellë dhe stabilitetin në rajon, ndërkohë që z. Meta vlerësoi përkushtimin e pakursyer të Parlamentit Evropian ndaj progresit demokratik e institucional të Kosovës, si dhe ndaj avancimit të dialogut me Serbinë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: