NGA: FATMIRA NIKOLLI
E diela e 15 janarit solli (mblo dhi) në Galerinë Kombëtare të Arteve kryeveprat e artit italian të ‘900-ës dhe njëherësh emra funksionarësh të lartë të shtetit, duke filluar nga kryeministri i vendit, ministra e deputetë. Në më shumë se tri vite të qeverisë “Rama” dhe investimeve në art e kulturë, GKA-ja është një prej atyre institucioneve të mbetura në vend. Nga shumëçka që i mungon, së pari përmendim kushtet klimaterike për koleksionet e saja e mandej për koleksione si ky i kryeveprave të 900-ës. Ardhja e këtij koleksioni me 100 vepra të 60 artistëve nga Galeria e Artit Modern të Romës, së pari, shkriu ‘ngricat’ në GKA, duke i besuar kësaj një koleksion 12 milionë eurosh.

Veprat janë vënë në katin e parë me një alestim për t’u pasur zili, çka ka kushtuar pa dyshim, shuma parash nga sponsorë, siç u kujdesën të thonë organizatorët, por nga ana tjetër shuma që deri tani kanë munguar. Në të gjithë sallën janë krijuar ambiente ku alestimet e ndryshme i lënë vend njëri-tjetrit, me ngjyra, e ndriçim krejt të ri, dedikuar kësaj ekspozite. Kjo ishte ngrica e parë që u shkri. E, ndryshe nga ekspozitat e “zakonshme” të çelura deri tani, në këtë ekspozitë të “jashtëzakonshme” ka edhe ngrohje, e përftuar përmes një “chiller-i” dhe disa “umidifikatorëve” dhe “deumifikatorëve”, – të gjithë portabël, që shërbejnë për të krijuar kushte atmosferike të qëndrueshme dhe largojnë lagështirën, duke krijuar edhe klimë më të ngrohtë, nga ajo që ka për shembull holli i GKA-së. Kjo ishte ngrica e dytë që u shkri. Për të mos e kaluar pa vëmendje, në këtë pikë duhet thënë se nëse temperaturat do të ishin ato të javës së kaluar, me gjasë çelja e saj do shtyhej, ashtu sikundër u përfol në rrethet intelektuale të Tiranës. Vetë kryeministri Edi Rama (konfirmoi) në fjalën e mbajtur me këtë rast, përtej batutave për ‘femra lakuriqe që vinin te barbarët’ që shkaktoi të qeshura (!) tha se veprat futen në kutitë e tyre (citojmë: shtratet e ngrohta) nëse temperaturat do të ulen nën 15 gradë. Batuta e mësipërme e kryeministrit erdhi edhe si falënderim për një prej organizatoreve italiane që pati besim në këtë ekspozitë pasi rrezikonte karrierën e saj, prestigjin, emrin dhe veprat duke (perifrazojmë) sjellë në këtë vend barbarësh disa femra lakuriqe.

Kryeministri, në përgjigje të batutave-ankesë të ministres së Kulturës dhe kreut të Bashkisë së Tiranës si ‘bashkëvuajtës’ të kulturës në kryeqytet, tha se e kanë për detyrë, ndërsa popullit i premtoi se “nëse sillet mirë” do të sjellë edhe Pikason origjinal në Shqipëri (çka në fakt nëse ndodh nuk është hera e parë, Pikaso ka ardhur edhe më herët madje, jo vetëm. Kujtojmë ekspozitën “Shkëlqime klasike dhe atmosfera të shek. XX” me 71 vepra të koleksionit të Francesco Martani, koleksion që solli për herë të parë në Shqipëri emra si Pablo Picasso, Andy Warhol, Francesco Clemente, Francis Bacon, Jean Michel Basquiat, Marc Chagall, Mario Sironi, Piet Mondrian, Rene Magritte, Sandro Chia, Lucio Fontana, Giorgio De Chirico, Jannis Kounellis, etj., e veç kësaj në GKA kanë ardhur edhe: “Made in Britain” Martin Parr, Henry Moore, etj.). Ngrica e tretë mund të ishte vëmendja ndaj vetë institucionit, i cili këtë herë duket se ka shërbyer më shumë si ambient i bollshëm ekspozimi. Kjo ekspozitë e jashtëzakonshme, pati edhe mbështetjen institucionale të tillë: Kryeministria, Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës, Ambasada Italiane, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë në bashkëpunim me Sovrintendenza Capitolina (Drejtoria e Mbikëqyrjes Capitolina), Bashkia e Romës, Departamenti i Rritjes Kulturore, Galeria e Artit Modern të Romës dhe është realizuar e organizuar nga “Arthemisia Group”, shtuar këtyre edhe shumë sponsorë, qenë angazhuar prej muajsh-çfarë nuk ka ndodhur për asnjë ekspozitë më herët në GKA në këto (më shumë se) tri vite.

Në mos asgjë, vëmendja që mori nga gjithë këto institucione, promovimi, qoftë edhe posterat e vënë në fasadën e GKA-së, ose nëpër bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet i dhanë asaj tjetër përmasë, edhe pse jo të pamerituar. Ekspozita nuk pati konferencë dhe media nuk ka marrë dijeni për marrëveshjen mes shtetit shqiptar dhe atij italian. Kryeministri foli vetëm për klauzola sigurie dhe siguracion, për çka, kushdo merret ndopak me art, se kushton një “djall e gjysmë”. Ekspozita, që vjen në Tiranë pasi një e ngjashme- “Roma 900” u çel nga në “Palazzo Magnani” në vitin 2015 në Parma, qëndron e hapur deri në prill dhe mund të vizitohen me çmime ndryshe nga ato të GKA, pasi biletat janë nga 500-700 lekë për publikun ndërsa për shkollat më pak. Midis pikturave, skulpturave, akuareleve dhe skicimeve, rrugëtimi ekspozitës – kuruar nga Arianna Angelelli, Maria Catalano dhe Federica Pirani – hulumton përmes kulturës artistike, e cila i ka rrënjët e saj në Romë dhe në Itali në gjysmën e parë të shekullit të XX.

Figurat femërore të mrekullueshme, portretet e personazheve të famshëm, natyrat e qeta, pamjet e Qytetit të Përjetshëm dhe të fushave romane: janë këto temat dhe subjektet që kanë kontribuar në afirmimin e artistëve të mëdhenj si Giacomo Balla (Ritratto di Nathan, 1910 – Portreti i Nathanit), Carlo Carrà (Partita di calcio, 1934 – Ndeshje futbolli), Giorgio de Chirico (Combattimento di gladiatori, 1933-1934 – Ndeshje gladiatorësh), Filippo de Pisis (Natura morta – pesci e bottiglia, 1925 – Natyrë e qetë – peshq dhe shishe), Giuseppe Capogrossi (Giuochi del 1935 – Lojëra), Renato Guttuso (Tetti di Roma, 1957-59 – Pullazet e Romës) e Adolfo De Carolis (Donna con fiori – Nudo di donna con rose, 1910 – Grua me lule – Nudo gruaje me trëndafila). Në ekspozitë gjenden edhe veprat e Antonio Donghi, Afro, Duilio Cambellotti, Franco Gentilini, Felice Casorati, Enrico Coleman, Fortunato Depero, Vittorio Grassi, Achille Funi, Carlo Levi, Giacomo Manzù, Alberto Savinio, Tato e Giulio Turcato, e vetëm për të përmendur disa nga mbi 60 protagonistët e pranishëm në ekspozitë. Nëpërmjet gjashtë seksioneve – Natyralizmi i Vonë dhe Simbolizmi, Secesioni Roman, Futurizmi dhe Aeropiktura, Tradita italiane dhe dialogu me antiken, Shkolla Romane, Figuracioni dhe Abstraksioni – ekspozita paraqitet si një unicum dialogu ndërmjet lëvizjeve të ndryshme artistike që zhvillohen gjatë Nëntëqindës.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb