Nga mbikëqyrja që Administrata Tatimore u ka bërë të dhënave lidhur me transaksionet e kryera midis tatimpaguesve rezultojnë raste kur tatimpagues me status aktiv realizojnë transaksione, në adresë të tatimpaguesve, persona fizikë, që janë me status pasiv, njoftuan zyrtarisht tatimet.

Konkretisht nga kontrolli i të dhënave në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj, rezulton që për vitin 2017, tatimpagues të klasifikuar si të mëdhenj, kanë faturuar rreth 11 mijë transaksione, në adresë të tatimpaguesve, persona fizikë, që janë me status pasiv.

Administrata tatimore, është duke e shtrirë këtë verifikim edhe tek drejtori të tjera rajonale tatimore.

Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet në përputhje me ligjin.

Për çdo rast që nga furnizuesit është shënuar fiktivisht NIPT-i i blerësit, realisht me status pasiv, ndaj lëshuesit të faturës tatimore do të aplikohet dënim administrativ.

Nëse tatimpaguesi me status pasiv, ka kryer aktivitet, ndaj tij administata tatimore, përveç dënimit administrativ, do të kryejë edhe vlerësim tatimor për të gjithë periudhën që ai ka qenë në regjistrin pasiv.

Shkelje të përsëritura të kësaj natyre, bazuar në nenin 116, pika 1 të ligjit të procedurave tatimore do të konsiderohen si evazion tatimor si dhe vepër penale bazuar në nenin 131 të ligjit procedurial.

Transferimi i tatimpaguesit nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv, mundësohet, në rast se përmbushet, të paktën, një nga kushtet e mëposhtme:

a) nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
b) nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
c) deklaron në QKB pezullim veprimtarie tregtare dhe kjo e fundit e ka miratuar pezullimin, i cili i është njoftuar edhe administratës tatimore.
Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, mund të konsultoni listën e përditësuar të tatimpaguesve që janë në regjistrin pasiv.

https://www.tatime.gov.al/c/8/129/132/subjekte-pasive

Kontrolli i faturave dhe sanskionet për shkeljet
Më herët Monitor raportoi, nga burimet e bizneseve se tatimet kishin nisur kontrollin e subjekteve përmes të ashtuquajturit “kryqëzim” të faturave, sipas të cilit çdo faturë blerjeje për një biznes është faturë shitjeje për tjetrin dhe anasjelltas. Sistemi i deklarimit online u mundëson tatimeve që të bëjnë automatikisht kontrollin e faturave.

Bizneset raportojnë se së fundmi kanë marrë shkresa nga tatimet ku njoftohen se nga verifikimi i librave të shitblerjeve rezulton se ata nuk kanë deklaruar shitjet ose blerjes. Shkresa të tjera u kanë shkuar subjekteve ku njoftohen se po në bazë të verifikimit të faturave të shitblerjes rezulton se subjekti ka realizuar shitje apo blerje nga bizneset që janë me status pasiv.

Bizneseve u është kërkuar që të dorëzojnë të gjitha dokumentacionet lidhur me shitjet dhe blerjet e kryera (të noterizuara). Në rast të mosdhënies së informacionit në bazë të ligjit të procedurave tatimore nga ana e tatimeve do të bëhen rivlerësimet përkatëse.

Ligji për procedurat tatimore sanksionon se në rast se konstatohet mosdokumentim i mallit kryhet rivlerësim i shitjeve në të njëjtën vlerë me vlerën e tregut të mallit të padokumentuar dhe aplikohet dënim. Neni 124 i procedurave thotë se “Moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH dënohet me gjobë të barabartë me 100 për qind të tatimit të padeklaruar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç tatimit dhe kamatëvonesave që llogariten dhe paguhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji apo të ligjeve specifike tatimore”.

Ligji për procedurat tatimore parashikon edhe që në rastin e refuzimit për dhënien e informacionit të kërkuar nga administrata tatimore, subjekti dënohet me gjobë me 10 000-50 000 lekë për çdo shkelje.

Sipas listës së deklaruar të tatimeve në regjistrin pasiv ka rreth 103 mijë biznese. Vetëm në periudhën janar-tetor të këtij viti janë shtuar në këtë listë rreth 10,600 biznese./Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: