Në një deklaratë të Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) thuhet se mijëra imigrantë që kalojnë nëpër Ballkan “kanë nevoja të skajshme për shërbime dhe mbështetje humanitare bazë”.

Në deklaratën e IFRC-së të publikuar të hënën thuhej se ” që nga fillimi i janarit, më shumë se 5.600 vetë kanë arritur në Bosnje-Herzegovinë, krahasuar me vetëm 754 përgjatë gjithë vitit 2017″.

“Jemi të shqetësuar, pasi njerëzit nuk po marrin ndihmën që u nevojitet”, thotë Simon Missiri, drejtor rajonal i IFRC-së për Evropën. “Njerëzit duan të vazhdojnë të shkojnë më në brendësi të Evropës dhe ngurrojnë t’i qasen shërbimeve shtetërore, për shkak të frikës së arrestimit”, thotë ai.

Sipas zotit Misiri “organizatat e Kryqit të Kuq në Ballkan po bëjnë gjithçkamunden për t’u shkuar në ndihmë imigrantëve, por shkalla dhe kompleksiteti i këtij operacioni është i tillë, që nevojitet më shumë ndihmë”.

Kryqi i Kuq tha se 100 prej vullnetarëve të tij në pjesën veri-perëndimore të Bosnje-Herzegovinës po u shërbejnë çdo ditë, me qindra vakte ushqimi imigrantëve në një kamp unversitar të braktisur. Ata po u ofrojnë ndër të tjera ndihmë mjekësore njerëzve që flenë “në qiell të hapur”.

Në deklaratë thuhej se Bosnje-Hercegovina “është vendi më i ndotur nga minat në Evropë” dhe “disa fusha të minuara janë ende aktive në zonat ku njerëzit po përpiqen të kalojnë kufirin”. Vullnetarët e Kryqit të Kuq po shpërndajnë fletushka, për të paralajmëruar imigrantët mbi rrezikun që u kanoset. /VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb