NGA MARIGLEN MERTIRI

TIRANE-
Transformimi i sheshit “Skënderbej” nga rrugë kalimi për automjetet në pedonale, do të nisë nga mesi i muajit gusht. Edhe pse me dy muaj vonesë për shkak të ngadalësimit të punimeve për unazën e vogël, burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije se projekti është gati të fillojë zbatimin gjatë kohës kur qytetarët do të jenë me pushime.

Punimet e firmës zbatuese do të nisin fillimisht nga Muzeu Kombëtar duke e bllokuar kalimin e mjeteve pjesërisht.

Me përfundimin e kësaj pjesë punimet do të zhvendosen drejt qendrës së sheshit “Skënderbej”.
Faza e parë e punimeve në këtë shesh që financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit kap shifrën e 320 milionë lekëve për vitin 2016, ndërkohë që synohet që punimet të përfundojnë brenda 12 muajve. Ky shesh me rreth 41 mijë metra katrore sipërfaqe, është konceptuar sipas planit të ndryshuar me 50% sipërfaqe të ngurtë dhe 50% sipërfaqe të gjelbër pasi plani i propozuar prej Ramës kryebashkiak kishte vetëm 15% gjelbërim.

Sheshet dhe trotuaret do të shtrohen me gurë nga e gjithë Shqipëria të marra kryesisht nga 8 krahina, duke e kthyer këtë hapësirë në sheshin e qendrës së shqiptarëve. Në këtë projekt parashikohen të mbillen 35 mijë lule dhe 5 mijë pemë e shkurre dekorativë.

Ndërkohë që kryebashkiaku Erion Veliaj këtë projekt me simbolikë bashkuese të shqiptarëve e ka cilësuar si investimin që bëhet për të ardhmen e Tiranës. Ndërkohë që opozita dhe disa urbanistë e kanë kundërshtuar me argumentin se projekti sjell betonizim dhe bllokon edhe më shumë trafikun e rënduar që ka kryeqyteti.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb