Nga: ZOJE (XHOI) JAKAJ

Dikur dora e mësuesit mbi supet e nxënësit apo një ledhatim në kokën e tij krahasohej me dorën e
Zotit… Mes një lumturie gëzimi e ankthi, mes kureshtje… e lotësh më shoqëroi nëna ime në ditën e parë të shkollës sime. Banka e klasës së parë mu duk aq e madhe (se më la të dukej vetëm fjongo e kuqe mbi kokë) dhe shkolla edhe më e madhe për një fëmijë 6–vjeçar, saqë mendova se kurrë nuk do të kthehesha më aty pasi ajo ditë të mbaronte. Në fakt, u ktheva ditën tjetër, e shumë vite të tjera me radhë. U ktheva sepse pranë meje u afrua një zonjë e bukur, me flokët e mbledhura prapa, me një buzëqeshje të ëmbël, që po të mos kishte përparësen në ngjyrën e qiellit do të mendoja se ishte nëna ime, e cila më kaloi dorën e saj mbi supe, atë dorë që ende sot e kujtoj, e më pëshpëriti se do të isha më mirë në një bankë tjetër. Më vonë mësova se nëna ime i kishte thënë për problemin tim me të parit e që nuk i mbaja syzet nga frika se mos moshatarët e mi do të më vinin në lojë. Në fakt, pas disa ditësh edhe mësuesja erdhi në klasë me syze optike, e pas disa ditësh erdha edhe unë e disa moshatarë të tjerë të mitë. Edhe vetë u çudita se si munda t’i vija. Vite më vonë kuptova se mësuesja ime nuk kishte pasur kurrë probleme me shikimin e se syzet e saj kishin qenë pa numër!…. Kjo është një histori që më rrëfeu një mikja ime shumë vite me e vogël se unë. Tek e dëgjoja rrëfimin e saj sytë mu mbushen me lot dashurie se mu kujtua mësuesja ime e klasës së parë, njeriu me i bukur dhe imponues i se mirës ku më dha aq dashuri sa vitet e punës time jo të pakta si mësuese gjimnazi e pastaj pedagoge universiteti, natyrshëm më erdhi ta transmetoj këtë sjellje e dashuri në përditshmërinë e punës time pa hezituar asnjë moment, Ky është kujtimi i parë që më vjen ndërmend kur dëgjoj fjalën “mësues” e menjëherë pas tij më pështjellohen ndjenja ankthi, frike kur më kujtohen episode të shëmtuara që shumë shpesh po i transmeton media. Është e tmerrshme të shohësh se si figura e mësuesit po degradohet dita-ditës. Vallë nuk e dinë këta pseudo – mësues të paktën qëllimin e tyre? Mësuesit e shkollave fillore vendosin gurin në themelet e jetës së një fëmije përgjithmonë. Mësuesi i klasës së parë, është më shumë se vetëm një mësues. Ai është miku, një figurë prindërore, dhe një udhërrëfyes i mirë mbi të gjitha. Ky mësues është shoku i parë për këdo fëmijë sepse supozohet që me të mund të flasësh për çdo gjë e të të dëgjojë pa të ndërprerë. Dikur mësuesi ishte njeriu i vetëm ku mund të mbështeteshe pa kushte, ishte njeriu që vetëm me një buzëqeshje të ndryshonte e të linte shenjë në ditën tënde. Mësuesi ishte ai që të mëson se lufta nuk është gjithmonë përgjigjja më e mirë, ndërsa sot disa nga këta që mbajnë titullin mësues të demonstrojnë se lufta është e vetmja zgjidhje Mësuesit e shkollave fillore janë përgjegjës për mësuarit e fëmijëve për të lexuar, drejtimin jashtë në rrugë, orientimin për gjithësinë e aritmetikës e deri në hapjen e botës me gjeografinë e historinë. Por mbi të gjitha, janë të po këta mësues ata që investojnë në nisjen e një dashurie për të mësuarit, ose për ta urryer atë në rastin më të keq. Por puna e mësuesit nuk është vetëm kaq. Mësuesi është nëna larg nga shtëpia! Mësuesi duhet të dijë të njohë shenjat e një dite të keqe për nxënësit e tij, shenjat e një sëmundjeje apo aftësie të kufizuar që nxënësi mund të ketë, ndërsa sot, këta të “tmerrshëm” ia shkaktojnë vetë nxënësit këto sëmundje. Mësuesi e ka për detyrë të raportojë nëse dyshon abuzimin e fëmijëve në jetën e një prej nxënësve të tij, ai/ajo është e mandatuar me ligj për të raportuar këtë, e për ta mbrojtur njëkohësisht nga dhuna e rreziqet, ndërsa sot po shohim që vetë këta mësues po abuzojnë e shpesh po e bëjnë shkollën vatër të dhunës e jo të dijes. Ndikimi që mësuesit kanë në jetën e nxënësve të tyre është i pamohueshëm. Kjo është ndoshta arsyeja që shumë prej nesh e zgjedhin mësuesinë si një karrierë ose për shkak se frymëzohemi nga një mësues i madh, ose se motivohemi nga ideja se, nëse do të jemi në vend të tyre, do të mund të bëjmë një punë më të mirë. Ndoshta është e përshtatshme t’u kujtohet edhe njëherë disa mësuesve se çfarë do të thotë të jesh i tillë. Çelësi i gjithë suksesit është të kuptojnë se puna e tyre bazohet mbi marrëdhënien që ata krijojnë më nxënësit që e kanë punën e tyre të përditshme e të ndërtojnë mbi baza të shëndosha një trinom prind – fëmijë – mësues. Mos i detyroni fëmijët që me sjelljen tuaj aspak etike jo profesionale, por plot brutalitet e arrogancë, të braktisin edukimin, të ardhmen e tyre. Ka shumë zgjedhje e zgjidhje që mund të vendosni bashkërisht, jo me tutelë e dhunë, por me butësi e dashuri. Ka disa taktika të suksesshme për t’u ndjekur e ato do u japin suksesin dhe admirimin e nxënësve tuaj, ata janë qenie të brishta ku presin t’i mësoni e doni pa kushte, sepse do u shtroni rrugën e paqes ose luftës në ndërgjegjen e tyre. Një fëmijë i edukuar e arsimuar nën presion e frikë, kurrë nuk do jetë produkt i vlefshëm për vete as shoqërinë. Ndoshta është koha t’u kujtoj pa dashur t’u imponohem me modelin tim disa rregulla elementare, por njëherësh të domosdoshme për të krijuar marrëdhënie të mirë e produktive më nxënësit tuaj: Bëjeni nxënësin ta dashurojë shkollën; Gjeni forma atraktive që dita e mësimit të bëhet interesante; Jo monotoni me mësime teorike; Punoni me nxënësit e adoleshentët me karakter të vështirë; Ekziston një shprehje e tillë që “Një mollë e kalbur, e prish gjithë shportën”, Shpëtojeni këtë “mollë” edhe, nëse krimbi ka filluar ta gërryejë nga brenda; Përdorni konkurse brenda grupit dhe motivojini nxënësit; Stimulojini duke prekur pikat e tyre të dobëta e duke i bëre ata të nxjerrin anën e tyre më të mirë; Jepuni mundësinë të jenë lider; Ndërrojini tavolinën e mësimit; Jepuni një detyrë të vështirë shtëpie dhe më pas argumentojani pse e ka realizuar në mënyrë perfekte; Prisni që rezultatet e nxënësve tuaj të jenë pozitive; Mbi të gjitha vendoseni dorën tuaj butësisht mbi faqen, supin dhe flokun e tyre; Jepini minimumi dashuri edhe nëse nuk jeni të aftë t’i jepni dije gjithherë e pandërprerë. Ngrohini ata me buzëqeshje; Pritini e përcillini me fjale të ëmbla se ata fëmije presin shumë nga ju, të nderuar kolegë. Unë e di fare mirë që në këtë vend ka mësues të përkushtuar, profesionistë, tolerant, të dashur, të adhurueshëm në maksimumin e tyre. Ashtu sikurse ka edhe probleme pafund në arsim e mësues që kurrë nuk duhet të kishin këtë titull. Por, mësuesi duhet të perfeksionojë e ruajë të paprekur portretin e tij. E figura të tilla si ato të dy ditëve të fundit që ka ekspozuar media nuk mund të përfaqësojnë kurrsesi figurën e mësuesit, ama prindërit e nxënësit duhet të reagojnë dhe sistemi t’i largojë një orë e më parë ata që abuzojnë me fëmijët e dijen në shkolla. Me respekt Dr.Zoje Jakaj (Xhoi), dikur një mësuese që e dashuroi pafund atë profesion dhe sot drejton një institucion të vuajtjes së dënimit të veprës penale në Tiranë.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: