Nga: Ermelinda Hoxhaj*

TIRANE- Mësuesit e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen provimit të kualifikimit ditën e shtunë, në 7 maj 2016. Sipas një shkrese të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me nr. 1737, provimi i kualifikimit të mësuesve zgjat 2 orë e 30 minuta dhe zhvillohet në Tiranë. Sipas udhëzimit të MAS, kandidati ka të drejtë të hyjë në procesin e kualifikimit për çdo kategori jo më shumë se tri herë. Kategoritë e mësuesve janë tri: kategori e III janë mësuesit që kanë të paktën 5 vite punë dhe hynë në kualifikim për kategorinë “mësues i kualifikuar”, kategoria e II janë mësuesit që kanë të paktën 10 vite punë dhe të paktën 5 vitet punë pas marrjes së kategorisë III dhe hynë në kualifikim për kategorinë “mësues specialist”. Ndërkohë që, për kategorinë I, “mësues mjeshtër”, kandidatët duhet të kenë të paktën 20 vite punë dhe të paktën l0 vite punë pas marrjes së kategorisë së II. Rezultatet pozitive të këtij provimi kushtëzojnë rritjen e pagës sipas vjetërsisë së punës nga 5 në 10 dhe 20 për qind për të gjithë arsimtarët që marrin pjesë në këtë testim. Ndërsa ata mësues që futen në këtë garë e dalin me një vlerësim negativ, nuk e humbasin vendin e punës, por vetëm nuk përfitojnë rritjen e pagës.
Programet e kualifikimit të mësuesve janë hartuar nga ekspertët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit (IZHA), të cilat gjenden të detajuara në faqen zyrtare të saj www.izha.edu.al. Në total janë 22 programe kualifikimi, kjo në bazë të profileve që kanë arsimtarët, po ashtu janë edhe 14 dokumente të tjera që mësuesit duhet të kenë njohuri, pasi do jenë pjesë testimit, ku përfshihet ligji i arsimit parauniversitar, udhëzimet e ndryshme për normën e punës dhe numrin e nxënësve, standardet e mësuesit si dhe Kodin e etikës. Në provimin e kualifikimit ketë të shtunë pritet të hynë rreth 4 mijë arsimtarë, për të cilët është kusht që të jenë vlerësuar me mbi 5 pikë në portofolin profesional.
Programet
Programi i kualifikimit të mësuesve të arsimit parashkollor bazohet në të gjitha programet mësimore të arsimit parashkollor, ndërsa programi i kualifikimit të mësuesve të arsimit fillor bazohet në të gjitha programet lëndore që mësuesi jep në arsimin fillor. Programet e kualifikimit të mësuesve në arsimin e mesëm të ulët, gjimnaz, në shkollat e specializuara si dhe të mësuesve të kulturës së përgjithshme në arsimin profesional e arsimin e orientuar bazohen në të gjitha programet e lëndëve dhe temat që mësuesit japin në këto shkolla. Ndërsa për shkollat artistike, programet e kualifikimit bazohen në lëndët e programet mësimore për degët e muzikës, artit pamor dhe baletit. Programet e kualifikimit të mësuesve të arsimit profesional dhe të shkollave të specializuara, që japin lëndët e kulturës profesionale përgatiten sipas programeve të përgjithshme të përgatitura nga IZHA. Mësuesit e arsimit të mesëm të ulët dhe atij të mesëm të lartë, që japin më shumë se një lëndë do t’i nënshtrohen procesit të kualifikimit për lëndën në të cilën zhvillojnë më shumë orë mësimore vjetore gjatë vitit të kualifikimit. Testi i provimit të kualifikimit përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetjet mbi dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjinë e mësimdhënies dhe të nxënies në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe si dhe të tjera, që përcaktohen në udhëzimin vjetor përkatës. Pjesa e dytë përfshin përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit të kualifikimit përkatës. Provimi i kualifikimit do të zhvillohet me shkrim, në 7 maj për të gjithë mësuesit në Tiranë nga ora 10:00-12:30 në ambientet e planifikuara nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit. Kandidatët tashmë janë njohur edhe me vlerësimin e portofolit të tyre profesional, të cilin e kanë dorëzuar në drejtoritë arsimore përkatëse. Kusht për të hyrë në provimin e kualifikimit këtë të shtunë është edhe vlerësimi që kanë marrë nga portofoli, pasi arsimtarët që nuk kanë marrë pikët minimale (5 pikë) në këtë fazë nuk do të futet në testim.
Vlerësimi
Vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 100 pikëve, ku futen pikët e portofolit, bonuset, pikët e pjesës së parë dhe pjesës së dytë të testit. Vlerësimi bëhet me pesë shkallë: A, B, C, D, E, që i korrespondojnë përkatësisht vlerësimit me fjalët: “shkëlqyeshëm”, “shumë mirë”, “mirë”, “mjaftueshëm” dhe “dobët”. Testi quhet i marrë me sukses, nëse kandidati ka marrë pikët minimale në secilën pjesë të testit. Kandidati që vlerësohet me E (dobët), nuk e merr kualifikimin dhe nuk përfiton shtesë page, por nuk e rrezikon vendin e punës. Kandidatët brenda tri ditëve nga shpallja e rezultateve kanë të drejtë të bëjnë ankimimin e rezultateve.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: