Nga: ERMELINDA HOXHAJ*

TIRANE – Provimin e kualifikimit mësuesit do ta zhvillojnë në datën 18 prill 2015 në Tiranë. Sipas një shkrese të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me nr.1448, provimi i kualifikimit të mësuesve zgjat 2 orë e 30 minuta. Afati i fundit për dorëzimin e portofolit personal për ata mësues që përmbushin kriteret për të hyrë në kualifikim ishte ditën e hënë, pra në datën 2 mars. Pas vlerësimit që do t’i bëhet portofolit nga Komisioni i vlerësimit i ngritur pranë DRA/ZA, ata kandidatë që kanë marrë minimalisht 5 pikë e lart kanë të drejtën të hyjnë në testimin që do të zhvillohet në 18 prill. Sipas udhëzimit të MAS, kandidati ka të drejtë të hyjë në procesin e kualifikimit për çdo kategori jo më shumë se tri herë. Kategoritë e mësuesve janë tri; kategoria III janë mësuesit që kanë të paktën 5 vjet punë dhe hyjnë në kualifikim për kategorinë “mësues i kualifikuar”, kategoria II janë mësuesit që kanë të paktën 10 vjet punë dhe të paktën 5 vjet punë pas marrjes së kategorisë III, dhe hyjnë në kualifikim për kategorinë “mësues specialist”. Ndërkohë që, për kategorinë I, “mësues mjeshtër”, kandidatët duhet të kenë të paktën 20 vjet punë, dhe të paktën l0 vjet punë pas marrjes së kategorisë II. Ata mësues që kalojnë me sukses provimin e kualifikimit përfitojnë dhe shtesë page, sipas kategorive që marrin.
Data
Mësuesit e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen provimit të kualifikimit në 18 prill. Arsimtarët nga rrethet duhet të vijnë në Tiranë, pasi këtu do të zhvillohet testimi, i cili zgjat 2 orë e 30 minuta. “Provimi me shkrim për kategoritë e kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar për vitin shkollor 2014-2015 do të zhvillohet më datë 18.04.2015, ora 10 deri në orën 12:30, në Tiranë, në mjedise të planifikuara nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit”, përcaktohet në dokumentin që MAS ua ka dërguar institucioneve në varësi, si dhe Drejtorive Arsimore Rajonale në mbarë vendin.
Programet & Provimi
Programi i kualifikimit të mësuesve të arsimit parashkollor bazohet në të gjitha programet mësimore të arsimit parashkollor, ndërsa programi i kualifikimit të mësuesve të arsimit fillor bazohet në të gjitha programet lëndore që mësuesi jep në arsimin fillor. Programet e kualifikimit të mësuesve janë hartuar tashmë nga ekspertët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit (IZHA), të cilat gjenden të detajuara në faqen zyrtare të saj www.izha.edu.al. Në total janë 22 programe kualifikimi, kjo në bazë të profileve që kanë arsimtarët. Po ashtu janë edhe 14 dokumente të tjera për të cilat mësuesit duhet të kenë njohuri, pasi do jenë pjesë e testimit, ku përfshihen, ligji i arsimit parauniversitar, udhëzimet e ndryshme për normën e punës dhe numrin e nxënësve, standardet e mësuesit si dhe Kodi i Etikës. Testi do të përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetjet mbi dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Pjesa e dytë përfshin përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit të kualifikimit përkatës. Në testin me shkrim futen mësuesit që kanë kaluar me sukses vlerësimin e portofolit profesional. Rezultatet pozitive të këtij provimi kushtëzojnë rritjen e pagës sipas vjetërsisë së punës nga 5 në 10 dhe 20 për qind për të gjithë arsimtarët që marrin pjesë në këtë testim. Ata mësues që futen në këtë garë dhe dalin me një vlerësim negativ, nuk e humbasin vendin e punës, por vetëm nuk përfitojnë rritjen e pagës.
Vlerësimi
Vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 100 pikëve, ku futen pikët e portofolit, bonuset, pikët e pjesës së parë dhe pjesës së dytë të testit. Vlerësimi bëhet me pesë shkallë: A, B, C, D, E, që i korrespondojnë përkatësisht vlerësimit me fjalët: “shkëlqyeshëm”; “shumë mirë”, “mirë”, “mjaftueshëm” dhe “dobët”. Testi quhet i realizuar me sukses, nëse kandidati ka marrë pikët minimale në secilën pjesë të testit. Kandidati që vlerësohet me E (dobët), nuk e merr kualifikimin dhe nuk përfiton shtesë page, por nuk e rrezikon vendin e punës. Kandidatët, brenda tri ditëve nga shpallja e rezultateve kanë të drejtë të bëjnë ankimimin e rezultateve.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: