Nga Jorgji KOTE
Gati 30 vjet më parë, më 1 tetor 1987, pas një seri negociatash disavjeçare dypalëshe, u shpall vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet vendit tonë dhe Republikës Federale Gjermane (RFGJ). Një ngjarje e shumëpritur, rrjedhojë e rrethanave cilësisht të reja të krijuara në Evropë, por edhe prirjeve të lehta liberalizuese në politikën tonë të jashtme; mbi të gjitha ajo ndodhi falë predispozicionit të autoriteteve më të larta dhe qeverisë gjermane të asaj periudhe.

Ky 30-vjetor historik shoqërohet edhe me ngjarje dhe data të tjera të shënuara, që e ndriçojnë edhe më shumë rëndësinë dhe simbolikën e tij.

Kështu, vetëm tri javë pas vendosjes së këtyre marrëdhënieve, më 23 tetor 1987, Zv. Kancelari dhe ministri i Jashtëm legjendar gjerman Hans Dietrich Genscher, ndër të parët kryediplomatë të lartë perëndimorë të asaj periudhe zbriti në Tiranë për të vendosur gurin e themelit të godinës së re të Ambasadës Gjermane në Tiranë. Seli që tre vjet më vonë u bë bujtësja e qindra mijëra shqiptarëve që në korrik 1990 shpërthyen dyert e ambasadave të huaja në kërkim të lirisë së vërtetë.

Ndërkohë, një vit më vonë, më 3 tetor 1988, u nda nga jeta Kryeministri legjendar i Bavarisë, aleat i Kancelarit Kohl, Franz Josef Strauss; miku i madh i popullit tonë, që më 21 gusht 1984 bëri vizitën e parë në Shqipëri, ku u “dashurua” menjëherë me vendin dhe popullin tonë. Ajo me dy vizitat e tjera historike dhe bisedimet e vështira me autoritetet tona kokëfortë e jashtë realitetit, janë vlerësuar lart si ndihmesë epokale për vendosjen e urave të miqësisë dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat ndërmjet dy popujve dhe vendeve tona.

Çfarë rastësie fatlume për këto data jubilare me Festën e 3 tetorit të Ribashkimit historik që e shtrijnë fare natyrshëm gjeografinë e October Fest gjerman edhe në Shqipëri! Dhe çfarë mundësish të “arta” për evokimin e ngjarjeve madhore që ato mishërojnë për shumë aktorë dhe faktorë politikë, diplomatikë, publikë, kulturorë, joqeveritarë etj.

Përkujtimi i këtij përvjetori tingëllues përbën një rast të volitshëm edhe për t’i bërë një analizë retrospektive gjithë katalogut të marrëdhënieve dhe për të përcaktuar linjat e reja të veprimit në të ardhmen me një shtet dhe aleat të madh strategjik si Gjermania; më i madhi në Evropë, themelues i BE-së, kampion i paqes, demokracisë dhe stabilitetit në botë; një vend që ka ndihmuar e mbështetur aq shumë vendin tonë gjatë këtyre 30 viteve, donatori i dytë më i madh i vendit tonë; mbështetës i fuqishëm i integrimit tonë në NATO dhe në BE, nismëtare e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore në vitin 1999 dhe gjatë katër viteve të fundit e Procesit të Berlinit.

Mirëpo, shohim se, edhe pse MPJ-ja jonë ka qenë e kujdesshme dhe aktive në këtë fushë, nuk ka të shënuar asgjë në faqen e saj zyrtare mbi këtë përvjetor të rëndësishëm. Madje, deri tani nuk është dëgjuar të flitet për një gjë të tillë dhe ndonjë aktivitet përkujtimor e tematik, siç ndodh në të tilla raste. Vërtet te ne ishte fushata zgjedhore që po vazhdon edhe në Gjermani, por diplomacia vepron, sidomos kur është fjala për ngjarje dhe vende të tilla, e aq më tepër kur, siç u përmend më lart, përvoja nuk mungon.

Megjithatë ka ende kohë, sepse ky jubile vazhdon gjatë gjithë vjeshtës. Ndaj besojmë se MPJ-ja dhe ambasada jonë në Berlin, bashkë me aktorë të tjerë shqiptaro-gjermanë kanë planifikuar të bëjnë diçka në javët e ardhshme, kur pritet të zhvillohen dhe aktivitete tradicionale me rastin e Tetorit Gjerman dhe përvjetorin e shembjes së Murit të Berlinit.

Ndaj, këtë shkrim e kemi thjesht apel dhe kujtesë dashamirëse, për më tepër që, siç thotë populli, “e mira pret”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: