Pas humbjes me Skënderbeun, në Kukës të gjithë duan kthesën ndaj Lushnjës. Edhe pse duket një transfertë e lehtë në letër, historia tregon se në “Roza Haxhiu” verilindorët nuk kanë fituar kurrë. Lushnja ka mundur Kukësin në momentin më të mirë të saj, në vitin 2013.

Ata ishin kthyer me një sukses të jashtëzakonshëm atë vit (kur kaloi turin e katërt eliminator në Ligën e Europës), e megjithatë u thyen. Verdhejeshilët ia dolën minimalisht (me rezultatin 1-0) nën një stadium të mbushur plot e përlot në atë kohë, më datë 4 shtator 2013.

Por, historia mes dy skuadrave kishte nisur më parë. Palët ishin ndeshur dhe dy herë të tjera më parë për llogari kur militonin në Kategorinë e Parë, ku Kukësi fitoi 3-1 në Kukës më 28 dhjetor 2011, ndërsa në ndeshjen e kthimit në fazën e dytë më 12 maj 2012, takimi përfundoi në barazim 0-0. Pra, Kukësi në dy takime në transfertë nuk e njeh suksesin. Sakaq, bilanci total flet për verilindorët, ku në 5 ndeshje, i kanë fituar 3, humbur 1 dhe barazuar 1 tjetër.

DËMTIMET
Mladen Milinkoviç “shtrydh” ekipin. Serbi ka zhvilluar një seancë 120-minutëshe, e cila startoi në orën 11:00 dhe pritet që me të njëjtin program të vazhdohet edhe sot. Por, kur janë dhe tri ditë larg nga dita e ndeshjes, trajnerin e shqetësojnë jo pak edhe dëmtimet.

Ylli Shameti është i pari në radhë, i cili e humb këtë duel, ndërsa nuk është rikuperuar dot. Gjirokastriti edhe pse ka dalë në stërvitje, ka zhvilluar vetëm disa ushtrime fizike, duke shmangur ushtrimet me top. Stafi mjekësor ka udhëzuar që të evitohen ngarkesat, për të mos e rrezikuar.

Dje nuk doli as Elis Bakaj me Hair Zeqirin. Kupa e ka lënë me pasoja fantazistin, ndaj po vijon ende terapinë. Megjithatë, mësohet se Bakaj ndoshta sot del në stërvitje. Gjithsesi, gatishmëria e tij do të gjykohet pasi ai të zbresë në fushë. Probleme ka shfaqur dhe Hair Zeqiri, i cili ka pësuar një tërheqje të lehtë javën që shkoi në stërvitje, nga e cila ka ndier dhimbje. Sipas stafit mjekësor, vlonjati nuk ka dëmtim serioz. /PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: