NGA MARIGLEN MERTIRI

TIRANE- Katër muaj më parë kur u hodh ideja e futjes së mësimit të kulturës fetare në shkollat shqiptare u zgjua një debat mes qarqeve akademike, politike dhe qytetareve. Por sot pas 4 muajsh, megjithëse u tha se ky modul do të ishte gati në shtator në 10 shkolla pilot, nuk do të zbatohet. Ministria e Arsimit e ka shtyrë zbatimin e këtij projekti të lançuar nga kryeministri Edi Rama për në semestrin e dytë të këtij viti shkollor në 10 shkolla të Tiranës.

Gjatë fundit të gushtit do të nisë edhe trajnimi i mësuesve që do të japin këtë lëndë, ndërsa programi parashikon orë praktike dhe teorike për nxënësit.

“Sapo ka përfunduar programi për 10 shkolla, por zbatimi nuk do bëhet në shtator por gjatë semestrit të dytë. Orët që do realizohen ndahen në orë praktike dhe teorike, duke integruar lëndët. Po shikohet mundësia për të trajnuar mësuesit gjatë muajit gusht që të përgatitet materiali. Nëse rezulton i suksesshëm si projekt, do të realizohet i plotë vitin tjetër në të gjithë Shqipërinë. Moduli me 10 orë të përcaktuara do të jetë për një kategori mësuesish dhe do të jetë në Tiranë. Teoria dhe praktika, do të ndahen 60% teori dhe 40% praktike, jo praktika fetare por qasje sociale të problematikave që lidhen me mënyrën e menaxhimit të kulturës fetare”, deklaroi zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj.

Komunitet fetare e kanë përkrahur këtë nismë duke u angazhuar së bashku me ministrinë e arsimit për të dhënë asistencë në hartimin e programit. Sipas tyre ky projekt është diskutuar prej gati dy vitesh por asnjëherë nuk ka gjetur zbatim. Ndërkohë që akademikë dhe pedagogë të universitet të Tiranës e kanë kundërshtuar këtë projekt-pilot, pasi është i parakohshëm dhe rrezikon laicitetin e shkollës shqiptare.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: