*Kreu i opozitës, Zaev takon banorët e lagjes së “Trimave”

MAQEDONI- Eurokomisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, ka folur sot sërish për krizën në Maqedoni dhe për ngjarjet në Kumanovë. Hahn ka shprehur shqetësimin e tij për zhvillimet e fundit, ndërsa tha se ngjarjet në Kumanovë nuk duhet të tërheqin vëmendjen nga kriza politike.

“Të gjithë jemi të shqetësuar për atë që ndodhi gjatë fundjavës. Në mënyrë urgjente i ftojmë të gjitha palët dhe aktorët që të bashkëpunojnë në sqarimin e asaj që ka ndodhur dhe në mënyrë të barabartë të punojnë për çështjen”, tha ai.

Komisioneri Hahn ka tërhequr vëmendjen e faktorëve politikë që të bashkëpunojnë për zgjidhjen e krizës.

“Ky sulm, kjo ngjarje nuk duhet që ta tërheq vëmendjen nga situata e vështirë politike në Maqedoni, për të cilën ftojmë edhe opozitën edhe pozitën që ta zgjidhin”, deklaroi Hahn.

Por një ditë pas luftimeve, pamje të tmerrshme vijnë nga lagja e “Trimave” në Kumanovë, pas përleshjeve dyditëshe. Shtëpi të shkatërruara rrugë të mbushura me gëzhoja plumbash, erë baruti dhe erë mbeturinash, dëme të tjera materiale, dyqane të shkatërruara, makina të djegura, kafshë të ngordhura janë disa nga fotografitë rrënqethëse në këtë vendbanim të banuar me shqiptarë.

Banorët kanë vizituar dhe parë me lotë në sy shtëpitë e tyre, ndërsa ata që u janë dëmtuar plotësisht shtëpitë informohet se janë strehuar jashtë vendit. Nga ana tjetër qytetarët shprehin shqetësime dhe apelojnë që të ndriçohet gjithçka lidhur me dëmin që kanë pësuar dhe skenarin që ndodhi në vendbanimin e tyre.

Një pjesë e tyre akoma nuk kanë mbërritur, për shkak ishin strehuar në vende më të largëta.

Kryesia Qëndrore e Bashkimit Demokratik për Integrim në mbledhjen e mbajtur më 11 maj 2015 në selinë e partisë në Tetovë ka diskutuar mbi ngjarjet në Kumanovë dhe situatën e sigurisë në vend.

Të gjitha organet e Bashkimit Demokratik për Integrim kanë ndjekur prej së afërmi të gjitha zhvillimet në Kumanovë më 9 dhe 10 maj 2015 dhe kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejt me popullatën e Kumanovës dhe Likovës, me degët dhe këshillat vendor të BDI-së në këto dy komuna, me pushtetin lokal, legjislativ dhe ekzekutiv si dhe me institucionet përkatëse.

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson që ngjarjet në Kumanovë dhe Goshincë, por pa harruar edhe incidentet e tjera të sigurisë në muajt e fundit, nuk janë në vijë me orientimet tona strategjike dhe nuk paraqesin interes dhe përcaktim të kombit shqiptar në vend dhe rajon.

Bashkimi Demokratik për Integrim ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve në përleshjen e armatosur në Kumanovë dhe uron shërim sa më të shpejtë dhe të lehtë për të plagosurit.

Bashkimi Demokratik për Integrim garanton që institucionet e shtetit do të ndihmojnë banorët e Lagjës për dëmet materiale.

Bashkimi Demokratik për Integrim do të angazhohet për proces transparent hetimor dhe gjyqësor për të përfshirët në përleshjet e 9 dhe 10 majit në qytetin e Kumanovës.

Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i përkushtuar për një Maqedoni stabile dhe të sigurt. Jemi të përkushtuar, në bashkëpunim me SHBA, BE dhe NATO, që ta arrijmë barabarësi të plotë midis shqiptarëve dhe maqedonasve, të vijojmë zbatimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Ohrit në germë dhe në frymë, të mirëmbajmë marrëdhënie të mira ndëretnike por edhe me fqinjët, të tejkalojmë kontestet që po mbajn peng procesin integrues EuroAtlantik në paqë e stabilitet si dhe të anëtarësohemi ditë më parë në Aleancën VeriAtlantike dhe të fillojmë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ora 17:30- Mediat maqedonase kanë publikuar disa nga emrat e personave të arrestuar në Maqedoni në lidhje me incidentet e ndodhura në Kumanovë këto dy ditët e fundit.
Më poshtë po ju përcjellim emrat e shqiptarëve të arrestuar, ndërsa mësohet se një pjesë e tyre janë Kosova. Ndaj tyre disa orë më parë, Prokuroria Publike ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve për 30 shqiptarët, ndërkohë nuk dihen emrat e dy të arrestuarve të tjerë. Këta persona akuzohen për terrorizëm dhe kërcënim të rendit.
1.Kenan Iseni, Kumanovë
2.Fadil Fejzullahu, Kumanovë
3.Demë Shehu, KOsovë (Juniku)
4.Sami Ukshini, Kosovë (Sokoli)
5.Irfan Lutfiu, Kumanovë
6.Arsim Bajrami, Kumanovë (polic nga Vaksinca)
7.Fadil Elshani, Kosovë
8.Esat Kafexholi, Kosovë
9.Ardijan Bujari, Kosovë
10.Andi Krasniqi, Kosovë (Muhamed Krasniqi- Malisheva)
11.Shefket Avaqi, Kosovë
12.Lirim Demiri, Kumanovë
13.Ajrush Avdia, Kosovë
14.Betim Kartashi, Kosovë
15.Genci Sefa, Shqipëri
16.Lendrit Rustemi, Kosovë
17.Enver Klain, Gjermani (me shtetësi gjermane)
18.Rufki Dogani, Kosovë
19.Nasuf Bekiri, Haraçinë
20.Valdet Zekaj, Kosovë
21.Bajram Elshani, Kosovë
22.Nexhmetin Lika, Tetovë
23.Lirim Krasniqi, Kosovë
24.Sevdail Miftari, Kumanovë
25.Fatmir Reçica, Kosovë
26.Beg Bajra, Kosovë (Beg Riza, komandant Begu)
27.Fejzulla Rushitovski, fshati Brezë
28.Besnik Ajdini, Kumanovë

Ora 16:03- Bashkimi Demokratik për Integrim gjithashtu falëminderon Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zyrat e OSBEsë dhe BEsë dhe NATOsë në Maqedoni bashkë me ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian si dhe Komisarin Hahn për komunikimin intenziv dhe kontributin në tejkalimin e krizës së sigurisë në Kumanovë.

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh mirënjohje për përcjelljen e përgjegjshme të ngjarjes nga ana e mediave.

Ftojmë të gjithë qytetarët në tërë vendin që të mos bien pre e dezinformacioneve të ndryshme që nuk e ndihmojnë qetësimin e situatës dhe informimin e drejt të opinionit.

Opinioni publik do të jetë i informuar drejtë dhe saktë me informata të konfirmuara për çdo situatë dhe për të gjitha zhvillimet në lidhje me situatën e sigurisë.

Ora 15:42- Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, ka vizituar sot qytetarët e Kumanovës, për të parë nga afër situatën e shkaktuar nga sulmet e dy ditëve më parë, në të cilën humbën jetën të paktën 22 persona. Kryeopozitari është shoqëruar
nga sekretari gjeneral Oliver Spasovski. Sipas mediave maqedonase, Zaev po zhvillon një takim në tregun e gjelbërt në Kumanovë, konkretisht në lagjen e “Trimave”.
Ora 08:30- Banorët e Kumanovës apelojnë që partia shqiptare në pushtet më në fund të flas dhe të thyejë heshtjen. Kjo thirrje bëhet nga Këshilli emergjent për ndihma që është formuar për t`i dalë në ndihmë banorëve të Lagjes së Trimave ku ndodhën përleshjet dhe terrori i paparë për banorët.

“Përveç një komunikate të lëshuar në mëngjesin e parë të së shtunës, kur kishin filluar krismat në Lagjen e Trimave, partia shqiptare në pushtet është mbyllur në heshtje. Pse heshtin, pse nuk dalin të flasin dhe të sqarojnë çfarë është puna, çfarë ka ndodhur. Ata janë njerëzit që i njohin që ishin këtu si pjesëtar të grupit të armatosur. Është e pafalshme kjo që po ndodhë dhe turp për politikën shqiptare. Ata duhet të japin sqarime dhe llogari, përfshirë edhe do parti tjera”, theksoi për INA, një aktivistë i këtij Këshilli për emergjencë për të ndihmuar banorët e Lagjes së Trimave.

Në lagjen ku ndodhën luftimet është një fotografi rrënqethëse. Banorët nuk shpresojnë shumë se do të ndodhë diçka e mirë për ta pas gjithë këtij terrori dhe dëmeve shpirtërore dhe materiale që kanë përjetuar. Ata apelojnë që bashkësia ndërkombëtare të përfshihet në hetimin e plotë të gjithë asaj që ndodhi dhe të ndihmojë në revitalizimin e kësaj lagje.

Asan.S nga Kumanova thekson se faktori ndërkombëtarë është e vetmja garancë që mund të bëj hetim transparent dhe të na tregojë se çka në të vërtetë ka ndodhur, por edhe të sigurohen mbështetje dhe ndihma për gjithë popullatën që ka përjetuar dëme të mëdha.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb