TIRANE– Zbatimi i projektit për rikonstruksionin e Teatrit të Operas dhe Baletit po ecën me ritme të mira dhe të shpejta. Ka qenë vetë Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila ka inspektuar punimet që po kryhen aktualisht në njërin prej institucioneve më të rëndësishme të artit në vend.

Kumbaro, e cila e ka nisur këtë mandat të dytë nga mbikëqyrja e kantiereve të kulturës, tha se çdo gjë po shkon sipas parashikimeve, ndërsa theksoi se me zbatimin e projektit mjediset e reja të TKOB do të kenë sipërfaqe shtesë për artistët dhe administratën.

Një tjetër lajm i mirë që vjen nga ministrja e Kulturës është fakti, se sipas ecurisë së deritanishme të punimeve nuk parashikohet shtyrje e përfundimit të projektit dhe se brenda afateve të parashikuara TKOB do të jetë një teatër tërësisht i transformuar dhe modern.
IMG_9991-300x200

Projekti për rehabilitimin e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor parashikon një rinovim tërësor të mjediseve të brendshme, skenës, zgjidhje të problemeve akustike, shtim të hapësirave etj.

Sipas kontratës parashikohet që brenda vitit 2019 publiku të mund të shijojë skenën e re të TKOB, të transformuar, dinjitoze dhe me hapësira të shtuara.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb