SHKODER– Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ka zhvilluar një vizitë në Muzeun Marubi në Shkodër, ku falë bashkëpunimit me Ambasadën Gjermane u jetëzua projekti për ruajtjen e arkivës së këtij muzeu, i cili mundëson zbatimin e një sistemi të ri konservimi të negativëve prej xhami, filmave rul, fotografive në letër si dhe dokumentave të cilat do të vendosen në zarfa dhe kuti të reja. Falë këtij projekti janë përfituar 7.000 kuti arkivimi dhe 82.000 zarfa, të siguruara nga mbështetja e Ambasadës Gjermane në Tiranë.

“Nuk mjafton vetëm të shpëtojmë thesare dhe të ndërtojmë muze të rinj, por është detyrë e ministrisë dhe gjithë institucioneve që të sigurojnë edhe kushtet e nevojshme teknologjike që ky thesar të jetë i siguruar përjetë. Luçjani, Drejtori i Muzeut Marubi këmbëngli që në fakt nuk mjaftonte vetëm puna e bërë deri tani me Marubin, por duhej mbi të gjitha të garantonim ruajtjen dhe jetëgjatësinë e negativëve të rrallë që mban ky muze dhe kush më mirë sesa teknologjia dhe profesionalizimi gjerman mund të na i ofronte këtë gjë, ndaj i jam mirënjohëse ambasadës dhe qeverisë gjermane, që në kuadër edhe të marrëveshjes kulturore që kemi nënshkruar vitin e kaluar e përfshiu këtë projekt brenda programit të bashkëpunimit”, u shpreh Kumbaro, e cila solli në vëmendje se e njëjta gjë është bërë edhe me Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë, përuruar vetëm pak kohë më parë.

“Instalimi i teknologjisë modern për ruajtjen e thesareve të tillë tashmë është një standard. Të njëjtën gjë ne kemi bërë edhe në Muzeun e ri të Artit Mesjetar në Korçë, ku vetëm pak javë më parë është instaluar e paisja për dezinfektimin dhe mirëmbajtjen e të gjitha ikonave të këtij muzeu”, theksoi ministrja e Kulturës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: