TIRANË- Megjithëse u fol për një shumicë totalitare nga opozita dhe një kryetar parlamenti të rreptë, maxhoranca e kryeministrit Edi Rama ka vendosur të bëjë disa lëshime. Këto lëshime kanë filluar me ndryshimin e rregullores së Kuvendit.

Rregullorja e vjetër thotë se një deputet nuk mund të jetë anëtar i përhershëm në më shumë se një komision. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste i ka bërë një propozim Kuvendit për ndryshim të rregullores që deputetët të lejohen në dy komisione.

Nuk dihet nëse ky është një lëshim për Partinë Demokratike, e cila ka 43 deputetë në Kuvend e me sa duket nuk i mbulon dot të gjitha komisionet parlamentare apo fakti që 12 deputetë të PS u bënë ministra dhe nuk ju del llogaria.

Ky propozim është pranuar nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi. Kanë qenë 30 deputetë të PS-së që kanë firmosur propozimin që do të sjellë një përfaqësim proporcional PS-PD në komisionet parlamentare.

Në bazë të rregullores së ndryshuar, “në respektim të raporteve shumicë parlamentare-opozitë, deputetë të caktuar mund të jenë anëtarë të jo më shumë se dy komisioneve të përhershme. Deputeti mund të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve të tjera, por pa të drejtë vote”.

PROPOZIMI
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste
I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,
Në mbështetje të nenit 117 të Rregullore, Ju paraqesim propozimin për një ndryshim në Rregulloren e Kuvendit.
Në mbështetje të nenit 28 të Rregullores parashtrojmë kërkesën për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të këtij projektvendimi.
Duke Ju falënderuar për vëmendjen, Taulant Balla, Kryetar.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi:
1. Në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhet ky ndryshim:
Në nenin 20, pika 2 ndryshon si më poshtë:
“2. Si rregull, deputeti mund të jetë anëtar vetëm i një komisioni të përhershëm. Në respektim të raporteve shumicë parlamentare-opozitë, deputetë të caktuar mund të jenë anëtarë të jo më shumë se dy komisioneve të përhershme. Deputeti mund të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve të tjera, por pa të drejtë vote”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Kryetari Gramoz Ruçi.

rregullorja-e-kuvendit-1

rregullorja-e-kuvendit-3

rregullorja-e-kuvendit-2
rregullorja-e-kuvendit-7

rregullorja-e-kuvendit-6

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb