Luftëtari nuk has pengesa në Elbasan, teksa fiton bindshëm 0 me 3 në transfertë, duke hipotekuar në këtë mënyrë edhe kalimin e turit në Kupën e Shqipërisë. Miqtë kanë dominuar në lojë, duke mos e vënë në asnjë moment në dyshim fitoren, kjo edhe për faktin se vendasit dolën në fushë me ekipin e të rinjve. Sa i përket golave, dy u shënuan në fundin e pjesës së parë nga Janku dhe Zogaj dhe në të dytën trefishoi rezultatin Nunes.

TAKIMI – Miqtë nga Gjirokastra nuk duan t’ia lënë asgjë rastësisë dhe shtyjnë shumë përpara që në fillim të lojës, duke i mbyllur verdheblutë në zonën e tyre dhe shënjestruar shumë herë portën e mbrojtur nga Dosti. Në dy-tri raste me Pergjinin dhe Zogajn gardiani elbasanas e mbajti të paprekur rrjetën, duke mbajtur në lojë verdheblutë. Ndërkaq, elbasanasit e “vegjël” luajnë fort në mesin e fushës, por e kanë të vështirë që të shfaqen rrezikshëm në portën e mbrojtur nga Ruçi, i cili nuk vihet në vështirësi për asnjë moment. Atëherë kur mendohej se pjesa e parë do mbyllej në barazim pa gola, mendon Janku me një goditje me kokë brenda zonës në të 39′ dhe më pas Zogaj i vetëm me Dostin në të 44-ën e kalon topin mbi të.
Luftetari (3)
Luftetari (4)
Fraksioni i dytë i lojës nis menjëherë vrullshëm për miqtë, të cilët godasin shtyllën me anë të Pergjinit pas një goditje të bukur nga jashtë zone. Megjithatë, ritmi i lojës bie shumë dhe për minuta të tëra mungon rreziku në portat respektive, pasi duket sikur skuadrat janë pajtuar me këtë rezultat. Gjithsesi, ata që administrojnë lojën janë miqtë që kanë më shumë kualitete, ndonëse janë me ekipin e dytë në këtë përballje. Në minutën e 83′ vjen edhe trefishimi i rezultatit me anë të Nunes, i cili gjuan fort nga jashtë zone dhe sfera ndalet në rrjetë. Mbyllet krejt takimi 0 me 3 për miqtë, të cilët hipotekojnë në këtë mënyrë kalimin e turit në kupë.

ARJAN KILA-trajneri i Elbasanit: “E dinim që përballë do të kishim një kundërshtar që do të luante fort dhe do të tentonte ta fitonte ndeshjen, pasi kanë kualitete dhe militojnë në Superiore. Në hymë në fushë për të dhënë më të mirën tonë dhe jam i kënaqur nga loja që zhvilluam, edhe pse rezultati nuk foli për ne”.

DANIEL FERNANDEZ-Trajneri i Luftëtarit: “Nuk prisnim një ndeshje të lehtë sot (dje), pasi pavarësisht pozitave që ka Elbasani është një skuadër që meriton respekt. Kemi bërë një udhëtim 4 orësh dhe erdhëm le të themi me ekipin e dytë në këtë përballje. Në përgjithësi jam i kënaqur nga loja që zhvilluan djemtë në fushë dhe me këtë rezultat kemi bërë një hap te sigurt për kalimin e mëtejshëm në kupë”.

ELBASANI – LUFTËTARI 0 – 3

GOLAT: Janku 39′, Zogaj 44′, Nunes 83′

ELBASANI: Dosti, Dishani, Asllani, Selimaj, Bogdani, Xh. Bajrami (Xhakeri 46′), Lleshi, Dervishi, S. Bajrami (Sadiku 46′), Ramzoti, Hanoli (Dalipi 70′). Trajner: A. Kila

LUFTËTARI: Ruçi, Zogaj, Nunes, Nasif, Janku, Hoxha, Puci, Kasa, Toledo, Lamçja, Pergjini (Mahmutaj 70′). Trajner: D. Fernandez

GJYQTARË: E. Bastari, R. Zaimi, A. Koçiaj (Tiranë)

KARTONË TË VERDHË: Hanoli, Ramzoti, Selimaj/ Lamçja

VËZHGUES: Servet Bogdani (Durrës)

DELEGAT: Ilirjan File (Elbasan)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb