Nga: FATOS ÇOÇOLI*
Hiq Moldavinë, jemi vendi më informal i Evropës. Edhe Kosova është më mirë se ne në respektimin e shtetit nëpërmjet faturës tatimore. Kuponi, vërtetimi ligjor që një shitblerje bëhet në sytë e shtetit, ka qenë dokumenti më i papërfillur i historisë së tranzicionit tonë të gjatë. Edhe në rastet e rralla kur na e jepnin në dyqane të mëdha, ose e refuzonim me shpërfillje, ose sapo kalonim dyqanin, e hidhnim në rrugë apo në koshin e parë. Ndërkohë që, për të gjitha vendet e tjera evropiane, kuponi është një bazë e ekzistencës dhe e funksionimit të shtetit. Madje dhe në Greqinë fqinje. Disa herë prodhueset e tij, kasat fiskale, kanë dështuar të jenë vepruese te ne. Historia e vendosjes së tyre dy herë me radhë, më 2004-ën dhe 2010-ën, është sa qesharake aq edhe e trishtë. Qeveria dhe koncesionarët e zgjedhur prej tyre kanë marrë ca para nga shitja e kasave biznesit të vogël, ndërsa vetë biznesi, pasi është ankuar për pagesën, në vitet në vijim është tallur me pluhurin mbi kasën e papërdorur dhe pafuqinë e shtetit për t’u sjellë si shtet! Por tani kuponi ka një “ushtri” të vetën, që është baza e re ligjore. Kush kapet të shesë një mall apo japë një shërbim pa lëshuar kupon, ha gjobë 5 milionë lekë të vjetra! Kjo bazë është një fuqi e tmerrshme e 600 grupeve të kontrollit dhe e atyre tatimorëve të korruptuar brenda grupeve, që mund të fusin në xhepin e tyre një milion para nën dorë, për mos të të gjobitur! Prandaj dhe kjo qeveri duhet të kontrollojë kontrollorët e saj! Ndryshe ky aksion, nga gjasa për reformë, mund të kthehet në sprovë për të zhvatur për xhepin personal bizneset e kapura duke shërbyer pa kupon. Shumëkush mund të thotë: kjo gjobë është e tepërt, është ekstrem, po shkelet Kushtetuta në orientimin e saj për sanksione administrative(gjoba është një dënim administrativ) të arsyeshme. Por deri tani mendësia jonë jo shtet-respektuese nuk ka përfillur asnjë detyrim ligjor të arsyeshëm. Ndërsa tani, në ditët e para të shtatorit, ka te qytetarët një ndjesi tjetër. Si asnjëherë më parë në këto vite tranzicioni, shitësi, pasi të jep mallin, të thotë: “Mbaje dhe këtë kuponin, se do të gjobitesh”. Kur të fillojnë gjobat e para te ne si qytetarë që dalim nga dyqani pa kupon, atëherë do të fillojë mbretërimi i kuponit edhe te ne. Sepse do të ndërrojë muzika, do të jemi ne që do t’ia kërkojmë shitësit “trim” që na jep mall pa kupon. Askush nuk do të ketë më guxim të na konsiderojë si njerëz zevzekë që s’e lënë biznesin e shkretë të fitojë diçka më shumë duke ia hedhur shtetit. Nga qytetarë të painteresuar për këtë dokument bazë të shtetit, do të kthehemi në qytetarë të frikësuar se do të marrim gjobë. Dhe s’ka asnjë gjë të keqe ta kemi frikë shtetin, ligjin, rregullin për të gjithë. Shumë biznese shpresojnë: “Vrulli i këtyre për kuponin do të bjerë. Ja, një muaj, dy muaj, do të lodhen dhe do të kthehemi në parajsën e mëparshme. Ndoshta jo tamam si ishte, po diku afër”. Edhe nëse ndodh kjo, të paktën për disa ditë ose muaj kuponi tatimor u bë mbret edhe te ne. Dhe nuk do të jetë e largët dita kur “mbretëria” e tij do të zgjasë përgjithmonë. Sikurse është në të mirë të të gjithëve që të zgjasë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: