SHKODER- Kuqezinjtë inaugurojnë me barazim stadiumin e rikonstruktuar “Loro Boriçi” në Shkodër. Ndeshja e vlefshme për miqësoret para eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018” mes Shqipërisë dhe Marokut, u mbyll me rezultatin e bardhe 0­0. Pjesa e parë në stadiumin “Loro Boriçi” u mbyll në barazim pa gola.

Miqtë u shfaqën disi më agresivë në minutat e para të lojës, por nuk mungoi edhe reagimi i kuqezinjve. Cikalleshi shkoi më pranë golit në minutën e 26′. Një kros i Hysajt nga krahu i djathtë gjeti sulmuesin disi të zbuluar në zonë, por gjuajtja me kokë e tij përfundoi jashtë kuadratit.

Edhe pse një ndeshje miqësore, De Biazi u pa disi i tensionuar. Ai bisedoi dy herë nga afër me Cikalleshin dhe Gashi për t’ju shpjeguar se si duhet të kombinoheshin në sulm.

Nga ana e tyre marokenët shfrytëzuan kundërsulmet, por Berisha u tregua i vëmendshëm duke pritur gjuajtjet e tyre në portë.

Miqve iu anulua edhe një gol në këtë takim për shkak të një pozicioni jashtë loje.

Pak minuta para zbritjes së kuqezinjve në fushë u publikua edhe formacioni i skicuar nga De Biazi.
Ashtu siç u raportua një ditë më parë në, në formacionin bazë nuk ka surpriza; Hyka rreshtohet në krah me Gashin, ndërsa Cikalleshi titullar në sulm.

Para fillimit të takimit kreu i FSHF­së, Armand Duka e cilësoi këtë sfidë si nisjen e edicionit të ri.

“Kombëtarja filloi një edicion të ri, atë të eliminatoreve të Botërorit. Çunat duhet të kthehen me këmbë në tokë, sepse vetëm nëse japim 100 për qind arrimë diçka. Për mua ndeshja me Maqedoninë është më e rëndësishmja”, tha Duka.

Minutat:
90′ Tre minuta shtesë në “Loro Boriçi”.

88′ Cikalleshi driblon në mesfushë dhe niset drejt sulmit, por ndalet nga një ndërhyrje e gabuar. Faull për Kombëtaren.

85′ Surprizojnë marokenët. Një gjuajtje e kryer nga jashtë zonës së rreptësisë tenton të kapë në befasi Berishën, por gardiani kuqezi ndërhyn duke ndalur topin në dy kohë.

84′ Cikaleshi pranë golit. Sulmuesi merr një top në zonën kundërshtare dhe gjuan drejt portës, por lart kuadratit.

81′ Tjetër mundësi për kuqezinjtë. Memushaj kroson një top të ulët në qendër të zonës, largojnë marokenët.

78′ Zëvendësim te Maroku. Largohe Buhaduz, në vend të tij Rijan.

77′ Goditje nga këndi për marokenët. Harkohet një top i lartë në zonë, kuqezinjtë largojnë nga zona, por topi mbetet prapë në këmbët e tyre. Tjetër goditje nga këndi për miqtë.

74′ Cikalleshi nxjerr një top për Sadikun që niset i vetëm përballë portierit, kapet në pozicion jashtë loje.
71′ Tjetër zëvendësim për kuqezinjtë. Kaçe merr vendin e Bashës.

70′ Basha nis një top të gjatë në sulm për Sadikun, ndalet nga Amrabat.

67′ Rrezikojnë marokenët që nisin një aksion të shpejtë sulmues nga krahu i djathtë, por kapen në pozicion jashtë loje.

61′ De Biazi kryen 5 zëvendësime njëherësh. Gashi, Hyka, Abrashi, Lenjani dhe Xhaka. Në lojë, Agolli, Veseli, Kukeli, Memushaj dhe Sadiku.

55′ Cikalleshi futet në zonë, driblon një mbrojtës, por largojnë marokenët.

54′ Xhaka fiton një faull pranë zonës së rreptësisë. Lenjani ekzekuton në shtyllën e parë, por largojnë miqtë.

49’ Aksion nga e majta e Cikalleshit. Sulmuesi hyn në zonë dhe lëshon një predhë drejt portës, por gardiani kundërshtar shpëton katërkëndorin e tij nga një gol i sigurt me një refleks të jashtëzakonshëm.

46′ Fillon pjesa e dytë. Nuk ka ndërrime në radhët e kuqezinjve.

Mbyllet pjesa e parë në “Loro Boriçi”.

42′ Lenjani nis një aksion të rrezikshëm në krahun e majtë, kroson për Hyjën që kontrollon topin; godet drejt portës, por jashtë.

40′ Taulant Xhaka provon një gjuajtje të fortë në portë, por ndërhyri portieri maroken që largon me vështirësi.

39′ Xhaka ekzekuton një goditje dënimi në mesfushë, një top i ulët në zonë, por karton i verdhë për Abat për mosrespektim të distancës.

36′ Ndalet loja, ndërhyrje e gabuar ndaj Abrashit në mesfushë

26′ Rast i rrezikshëm për kuqezinjtë. Hysaj kroson nga e djathta, Cikalleshi godet me kokë, por topi përfundon jashtë kuadratit.

24′ Tjetër goditje në drejtim të Berishës. Sulmuesi maroken futet në zonë dhe gjuan me të majtën, por ndal Berisha.

19′ Gol i anuluar për Marokun. Një dalje e shpejtë para portës së kuqezinjve vë në vështirësi Gjimshitin që pengohet pranë zonë.

17′ Tjetër dalje e Berishës. Miqtë harkojnë një top të rrezikshëm nga krahu i majtë në zonë, por del Berisha që largon rrezikun.

14′ Hyka nis një aksion në mesfushë, pason për Lenjanin në krahun e majtë që kroson në zonë, por topi pengohet nga miqtë. Kuqezinjtë luajnë në gjysmëfushën e Marokut.

12′ Rrezikojnë miqtë, një goditje nga krahu majtë i portës grushtohet nga Berisha.

10’ Maroku provon të depërtojë nga krahët, por kuqezinjtë janë të vëmendshëm në çdo rast, me Mavrjan e Gjimshitin që mbyllin çdo hapësirë.

7’ Shqipëria më ngulmuese në minutat e para, Gashi provon edhe ai të gjejë rrugën e rrjetës me një gjuajtje nga jashtë zonës pas një aksioni të gjatë të kuqezinjve por gardiani i kundërshtarëve kontrollon në pozicion.

3’ Tentativa e parë drejt portës vjen në minutën e tretë. Hyka, pas një diagonaleje nga krahu i majtë, gjuan nga jashtë zonës, por topi kalon mbi traversë.

01′ Topin e parë e luajnë futbollistët e Marokut.

Formacionet zyrtare:
Shqipëria (4­3­3): Berisha, Hysaj, Gjimshiti, Mavraj, Lenjani, Xhaka, Basha, Abrashi, Hyka, Gashi, Cikalleshi.
Trajner: De Biazi
Maroku: El Kajoui, Dakosta, El Moutakui, Dirar, El Ahmadi, Amrabat, Fajr, Tanane, EnNesyri, Buhaduz, Aguerd
Trajner: H. Renard /Panorama/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb