Sot zhvillohet ndeshja e dytë e Shqipërisë kundër vendit organizator Franca. Ndeshja do të luhet në 21:00 në stadiumin ‘Velodrom’ të Marsejës, stadium në të cilin Lorik Cana ka luajtur disa vite me fanellën e Marsejës.

Por megjithë humbjen me Zvicrën tifozët kuqezinj vijojnë ta mbështesin kombëtaren. Ata janë mbledhur në Marsejë që mbrëmjen e djeshme duke ndezur atmosferën.

Thuajse të gjitha mediat franceze janë dakord mbi një gjë: Marseja do të ngjyroset kuqezi gjatë ditës së sotme. Në reportazhe të ndryshme në portale apo gazetat sportive dhe politike franceze, bie në sy interesimi dhe vlerësimi shumë i lartë për tifozët shqiptarë.

“Le Dauphine” e krahinës së Marsejës, shkruan se “shqiptarët do të jenë si në shtëpinë e tyre në Marsejë”, pasi përveç tifozëve të zakonshëm, në këtë krahinë “zyrtarisht gjenden më shumë se 5000 shtetas shqiptarë rezidentë në Francë”.

Ndërkaq, mediat e tjera kanë theksuar se si tifozët shqiptarë kanë qenë ndër më të vlerësuarit në ndeshjet e para në grupe, pasi kanë dhuruar një koreografi të bukur në stadiumin e Lens kundër Zvicrës, pa shkaktuar asnjë lloj problemi dhe duke ndryshuar plotësisht mendimin për Shqipërinë.

“20min.fr”, duke iu referuar pikërisht ndeshjes së të shtunës, thotë se mbështetësit e Francës, duhet të jenë gati. “Priten 20 mijë shqiptarë të ardhur nga e gjithë Europa në tribuna. Me atë që u pa në Lens, edhe nëse tifozët francezë janë më të shumtë, mund ta humbasim ndeshjen në tribuna”, shkruan ky portal.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: