TIRANE– Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Ilir Melo ka shprehur qëndrimin e tij mbi çështjen e arrestimit të Ismail Morinës, dhe debatin mbi ekstradimin e tij në Serbi. Teksa ka sqaruar nga ana teknike bisedimet mes palëve të përfshira, lidhur me çështjen e Ballistit, Melo thotë se tashmë vendimi është në dorë të ministrit kroat të Drejtësisë.

I pyetur nga gazetarja Eni Vasili mbi një datë të mundshme se kur mund të jepet ky vendim, ambasadori Ilir Melo tha se emisionin “Studio e Hapur”, se për këtë nuk ka diçka konkrete.

“Mendoj se vendimi i ministrit të Drejtësisë kroate do të vijë në një moment kur ata do ta shohin të arsyeshëm. Kjo mund të ndodhë edhe që nesër, apo edhe për një kohë më të gjatë”, u shpreh ndër të tjera ambasadori i vendit tonë në Kroaci, Ilir Melo.

Më tej ai ka rrëfyer edhe takimin e tij me Ismail Morinën në burg, dhe bisedën që zhvilluar me të.

“Kur e pashë në fillim nuk e kam njohur. Ai nuk kishte me mjekër dhe dukej shumë i brishtë. Por në mendimet dhe veprimet e tij ai ishte shumë i vendosur dhe ishte përgjegjës për atë që kishte bërë. Në burgun e Dubrovnikut kishte dhe shqiptarë të tjerë. Ata i kishin kërkuar Morinës që të vendosnin në qeli flamurin shqiptar, por Morina nuk kishte pranuar. Ai u kishte thënë që flamuri është bërë të valëvitet i lirë dhe jo të vendoset në qeli.

Drejtori i burgut ishte shumë i kënaqur. Ai më tha që Ismaili ishte bërë shembull për të gjithë ata shqiptarë që janë në burg. Unë në të gjitha bisedat që kam pasur me të ai asnjëherë nuk ka shfaqur frikë”, u shpreh ambasadori.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: