Agjencia e lajmeve BalkanWeb uron të gjithë besimtarët: Gëzuar Kurban Bajramin!
Mijëra besimtarë shqiptarë falin namazin nën shi
Nishani: Harmoni dhe bashkëjetesë paqësore mes besimeve të ndryshme fetare

Veliaj: Faleminderit besimtarëve myslimanë për bujarinë

TIRANË- Reshjet e shiut nuk kanë penguar sot mijëra besimtarë myslimanë që të dalin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur namazin e festës së sakrificës, Kurban Bajramit, dita më e shënuar në kalendarin Islam.

Me këtë festë kurorëzohet Haxhi, kushti i pestë i Islamit dhe dëshmi për solidaritet dhe mirëqenie. Për nder të kësaj festë, e cila lidhet me sakrificën që bëhet në emër të profetit Ibrahim, besimtarët myslimanë flijojnë edhe një kafshë, zakonisht dele ose qengj, si kurban dhe mishin e ndajnë me të varfrit dhe familjarët.

Në lutjen e sotme u theksua që ky Bajram duhet të jetë një thirrje e plotë dhe e fuqishme për t’i thënë jo indiferencës sociale. Për myslimanët u bë e qartë sot gjatë lutjes se kanë obligim të jenë në krahun e atyre që vuajnë, që janë të sëmurë për t’i lehtësuar sadopak. Sipas tyre, drejtësia është motra e devotshmërisë.

“Nuk është një dash nga hanxhinjtë që theren në Mekë sot, sakrifica më e madhe është tehu i shpatës së drejtësisë që duhet të presë çdo fije të mos drejtësisë. Individin, një komb e mban vetëm ecja drejt drejtësisë”.

Kreu i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj uroi sot të gjithë shqiptarët për festën e Kurban Bajramit. “Falë zotit kemi një ditë feste, përkushtimi dhe vetëmohimi. Përkujdesja është sot në çdo familje. I lutem zotit të sjellë paqe begati për të gjithë!”

Urimeve për festën e Kurban Bajramit nga sheshi i faljes së namazit iu bashkua edhe Baba Edmond Brahimaj, i cili u lut për më shumë dashuri mes njerëzve dhe në familje. “Urojmë që besimtarët të kenë dashur për njëri-tjetrin në familje. Zoti i dhëntë paqe kujtdo”.

META: TË NXITEMI PËR MË SHUMË FALJE DHE TOLERANCË
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e Festës së Kurban Bajramit. Në mesazhin e tij, Meta ka shprehur urimet më të mira për vlerat e kësaj dite, që na nxisin për më shumë tolerancë, mirësi dhe për të pasur solidaritet më të madh sidomos me ata qytetarë që kanë nevojë për solidaritet. “Me rastin e festës së Kurban Bajramit dua të shpreh urimet më të mira për mesazhet dhe vlerat e kësaj dite, që na nxisin për më shumë falje dhe tolerancë, për më shumë mirëkuptim, për të bërë mirësi dhe për të zhvilluar një solidaritet më të madh me njëri tjetrin dhe sidomos me ata qytetarë që kanë nevojë për te”, – tha Kryetari i Kuvendit.

Gjithashtu, Ilir Meta ka shprehur sërish vlerësimin e tij për këtë bashkëjetesë dhe harmoni të mrekullueshme fetare që ekziston në vendin tonë. “Më lejoni të shpreh krenarinë për këtë bashkëjetesë dhe për këtë harmoni të mrekullueshme që ne kemi falë këtyre marrëdhënieve mjaft tolerante, bashkëpunuese midis komuniteteve tona, por edhe besimeve të ndryshme”,- u shpreh Kryetari i Kuvendit në mesazhin e tij me rastin e festës së Kurban Bajramit.

NISHANI MESAZH URIMI: ZOTI E BEKOFTE SHQIPERINE DHE SHQIPTARET
Presidenti Bujar Nishani pasi përcolli urimet e tij në Komitetin Mysliman, lëshoi disa mesazhe për gjithë besimtarët. Nishani e cilësoi Kurban Bajramin si dita e sakrificës. Nga ana tjetër ai theksoi se shqiptarët ndër vite kanë bërë shumë sakrifica.
“Ne kemi urimin me një veçantë; për shumë vjet gëzuar. Dita e Kurban Bajramit përben dy vlera. Këto vlera koiçidojnë me vlerat e shqiptarëve. Ne kemi qen si komb, kemi bërë sakrifica n të shkuarën. Kemi qenë të gatshëm, që atë të mirë që kemi pasur, e kemi ndarë me të tjerët. Këto janë parime gjithë shqiptarë. Vlerësoj këto parime të fesë islame. Shpreh mirënjohjen time komitetit të Myslimanëve, klerikëve për punën që bëjnë çdo ditë për respektin dhe për të ndihmuar atë që është më i pamundur, i varfër. Gëzuar këtë ditë të veçantë, mbarësi komunitetit mysliman. Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët.”, tha Nishani.

NISHANI: HARMONI DHE BASHKEJETESE PAQESORE MES NJEREZVE ME BESIME DHE ORIGJINE TE NDRYSHME
“Të dashur e të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë kudo ku ndodheni!

Me rastin e kësaj Feste të madhërishme të Sakrificës dhe Dhurimit, e cila na frymëzon për t’iu gjindur sa më shumë njëri-tjetrit, për të ndihmuar dhe ndarë pasurinë e mirësinë me më të pafatët, për t’i lumturuar fëmijët me dhurata e për t’u përkujdesur për më nevojtarët, duke sakrifikuar diçka apo gjithçka në frymën e besimit tek Zoti i Plotfuqishëm, dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta!

Sivjet këtë Kurban Bajram e festojmë menjëherë pas ngjarjes historike për kombin tonë, për shqiptarët anembanë botës: shenjtërimit të Nënë Terezës, shembulli i së cilës mishëron dhe frymëzon bamirësinë, kujdesin dhe respektin për më të vuajtuarit, më të pafatët, për të sëmurët e të pamundurit, në kuadër të harmonisë dhe bashkëjetesën paqësore mes njerëzve me besime dhe origjinë të ndryshme.

Në cilësinë e Kreut të Shtetit ju uroj nga zemra të gjithëve sa më shumë begati, paqe, mbarësi dhe vëllazëri me njëri-tjetrin!

Gëzuar Festën e shenjtë të Kurban Bajramit!

Gëzuar dhe për shumë vjet këtë Festë të mrekullueshme dhe kuptimplotë të sakrificës njerëzore!”
VELIAJ: FALEMINDERIT BESIMTARËVE MYSLIMANË PËR BUJARINË
Kryebashkiaku i Tiranës ka uruar sot besimtarët myslimanë për festën e kurban Bajramit. Me anë të një statusi në rrjetin social ‘Facebook’, Veliaj falënderoi besimtarët për bujarinë dhe bashkëpunimin.
“Gëzuar Bajramin miq – faleminderit besimtarëve myslimanë për mirësinë, bujarinë e bashkëpunimin për të mirën e qytetit tonë ?”, citohet në reagimin e Veliajt.
Veliaj me Brucajn
HISTORIA E KURBAN BAJRAMIT
Sipas traditës islamike, rreth katërmijë vjetë më parë lugina e Makës (ajo që sot përbën Arabinë Saudite) ishte një vend i thatë, shkëmbor dhe i pabanueshëm. Zoti e kishte këshilluar Abrahamin (ose Ibrahimin në Arabisht) të merrte gruan Haxhir (Hagar) dhe djalin e vetëm Ishmael (Ismail) që nga toka e Kanaanit dhe t’i sillte në Arabi.
Kur pa se Ibrahimi po bëhej gati për t’u kthyer në Kannaan, Hagar e pyeti: “Po ne, po na le këtu që të vdesim? Zoti të ka dhënë porosi të na lësh këtu?” Ibrahimi iu kthye gruas përballë. Ndihej aq i mjerë sa s’fliste dot një fjalë. Bëri me dorë nga qielli, si për të thënë që këtë ia kishte kërkuar Zoti. Hagar i tha: “Mirë, atëherë, mund të shkosh. Zoti s’ka për të na shkuar dëm.” Megjithë sasinë e madhe të ushqimeve dhe ujit që iu kishte lënë Ibrahimi, shumë shpejt Haxhireja dhe Ismaili mbetën pa gjë dhe filluan të ndjejnë shenjat e etjes dhe urisë.
E dëshpëruar për ujë, Hagar iu ngjit dhe zbriti shtatë herë dy kodrinat e quajtura Al-Safa dhe Al Marwah. Më në fund, ajo u plas e rraskapitur në krah të foshnjes Ismail duke iu lutur Zotit për shpëtim. Për çudi, nga toka përpara këmbëve të foshnjes Ismail filloi të burojë një krua uji. Sipas disa rrëfimeve të tjera, uji nuk doli vetë, por e nxorri ëngjëlli Gabriel (Xhibrail) që e goditi tokën fort dhe bëri të dalë ujë me shumicë. Gjithë ai ujë, që njihet si Pusi Zamzam, jo vetëm që ua shuajti etjen, por edhe iu mjaftoi për ta shkëmbyer atë me ushqim me endacakët që kalonin aty pari.
Disa vjet më vonë Ibrahimi mori udhëzime nga Zoti që të kthehej nga Kanaani dhe të ndërtonte një faltore pranë pusit të Hagar (Pusit Zamzam). Ibrahimi dhe Ismaili ngritën një ndërtesë prej gurësh dhe llaçi – e njohur si Kaaba – që do të bëhej vendi ku mblidheshin të gjithë ata që kërkonin të forconin besimin te Zoti. Me kalimin e viteve, Ismaili mori statusin e profetit (Nubuwwah) dhe ishte ai që do t’i jepte bredharakëve të shkretëtirës mesazhin e nënshtrimit ndaj Zotit. Shumë shekuj më vonë, në sajë të burimit të saj të pashterrshëm të ujit, pusit të Zamzamit, Meka do të kthehej në një qytet shkretëtire të lulëzuar dhe një qendër e rëndësishme tregëtare.
Një nga provat më të forta në jetën e Ibrahimit ishte kur atij iu desh të zbatonte urdhërin e Zotit për t’ia përkushtuar atij pronën e tij më të shtrenjtë, djalin e vetëm. Me ta dëgjuar urdhërin ai u bë gati t’i nënshtrohej vullnetit të Zotit. Në kohën kur po bëhej gati, Satani (Shejtani) u përpoq ta fuste në ngasje Ibrahimin dhe familjen e tij, duke kërkuar t’i bindte që të mos e zbatonin urdhërin e Zotit. Por Ibrahimi e dëboi Shejtanin duke i gjuajtur me plisa. Në kujtim të mohimit të Shejtanit, një nga ritet e Haxhit është që njerëzit iu gjuajnë me plisa disa shtyllave që simbolizojnë Shejtanin.
Kur Ismaili ishte rreth 13 vjeç (dhe Ibrahimi 99), Zoti vendosi që t’ua vinte publikisht në prove besimin. Ibrahimi filloi të shihte herë pas herë të njëjtën ëndërr, në të cilën Zoti e urdhëronte që ky t’ia ofronte djalin e vet si sakrificë – një veprim i papërfytyrueshëm – pra të sakrifikonte djalin e vet të vetëm, që Zoti ia kishte dhënë pas gjithë atyre viteve lutjeje. Abrahami e dinte që ëndrat e profetëve kanë frymëzim hyjnor dhe se ato përbënin një nga mjetet me të cilat Zoti komunikonte me profetët. Kur e kuptoi qartë se çfarë domethënie kishin ëndrrat, Ibrahimi vendosi ta vinte në jetë urdhërin e Zotit dhe ta ofronte Ishmaelin për sakrificë.
Megjithëse ishte gati të sakrifikonte gjënë më të shtrenjtë për hir të Zotit, ai s’mund të shkonte dhe ta tërhiqte të birin zvarrë deri te vendi i sakrificës pa miratimin e tij. Duhej biseduar edhe me vetë Ismailin nëse ky do të ishte i gatshëm që të hiqte dorë nga jeta për t’i plotësuar urdhërin Zotit. Kjo bisedë do të ishte një provë e madhe e pjekurisë së besimit, dashurisë dhe përkushtimit të Ismailit për Zotin, e gatishmërisë për t’i shërbyer të atit dhe për të sakrifikuar jetën e vet për hir të Zotit.
Ibrahimi ia paraqiti çështjen të birit dhe e pyeti se ç’mendonte ai për ëndrrat që ky kishte parë për therrjen e tij. Ismaili nuk tregoi asnjë shenjë ngurrimi apo prapamendimi, qoftë edhe për një çast të vetëm. Ai tha: “Baba, bëj atë që të kanë urdhëruar të bësh. Mua do të më kesh gjithmonë të qetë dhe të duruar, Inshallah.” Përgjigja e tij e pjekur, kuptimi i tij i thellë i brendisë së ëndrrave të të atit, përkushtimi ndaj Zotit, dhe së fundi gatishmëria e tij për të sakrifikuar jetën e tij për hir të Zotit ishin të papara.
Ibrahimi nuk duronte dot ta shihte të birin duke vdekur, prandaj edhe mbuloi sytë. Kur ia preu fytin Ismailit dhe hoqi shaminë me të cilën kishte zënë sytë, ai u habit që pa Ismailin aty pranë të paprekur dhe, në vënd të tij, ishte shtrirë i ngordhur një dash të cilin ai vetë sapo e kishte therrur. Me gatishmërinë për të vënë në jetë urdhërin e Zotit Ismaili e kishte kaluar provën.
Si shpërblim për sakrificën, Zoti i dha Ibrahimit lajmin e gëzuar të lindjes së djalit të tij të dytë, Isakut.
Ibrahimi kishte vërtetuar se dashuria për Zotin i tejkalon të gjitha: se ai ishte i gatshëm të jepte edhe jetën e vet, edhe jetën e njerëzve të tij më të dashur si shenjë nënshtrimi ndaj urdhërit të Zotit. Muslimanët e përkujtojnë çdo vit këtë vepër sakrifice përmes Kurban Bajramit.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: