Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një konferencë për media ka folur rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Kurti ka theksuar se së fundi e kanë paralajmëruar edhe finalen e madhe të dialogut e mbase kjo do të jetë edhe një çerekfinale e vogël pa një plan 4+1.

“Para një dialogu të ri me Serbinë është e domosdoshme që: Të bëhet bilanci shtetëror i dialogut 2011-2017, të raportohet në Kuvend dhe të kemi debat parlamentar. Ka pasur shumë investim, pak kthim e pak transparencë. 33 marrëveshje i ka nënshkruar Kosova me Serbinë, dhe shumica e tyre nuk janë realizuar.
Të realizohet dialogu i brendshëm i hapur dhe demokratik në institucione dhe shoqërinë tonë. Debati në Kuvend para dialogut për dialogun me Serbinë, për parimet dhe agjendën për qëllimin dhe formatin. Dialogu që u zhvillua nga 2011-2017 ishe dialog sipas kushteve të Serbisë. Të zhvillohet një dialog me Bashkimin Evropian për dialogun me Serbinë, për natyrën, përmbajtjen dhe qëllimin e atij dialogu. Të pajtohemi që të mos ketë asnjë shmangie në Kosovë nga priortizimi i punësimit dhe drejtësisë si dhe nga dialogu me serbët e Kosovës dhe pakicat tjera për zhvillim”, ka thënë Kurti, transmeton tg.

Ai ka thënë se gjatë dialogut 2011-2017 është rrëmbyer agjenda shtetërore e Kosovës nga diplomacia e bisedimeve permanente të normalizimit. Kurti ka theksuar se në asnjë moment apo rrethanë pajtueshmëria jonë shoqërore e nacionale për temat e parimet, strategji dhe përfaqësimin në dialog, nuk mund ti përfshijë emrat e Hashim Thaçit dhe Edita Tahirit. “Njeriu që i frikësohet aktakuzës nga Gjykata Speciale, njeriu i cili është protagonist i aferës Pronto, njeriu i cili vendosi lule dhe bëri nderime te pllaka përkujtimore e strukturave të Serbisë në Kosovë, njeriu i cili e mbështeti Zajednicen, njeriu i cili më 20 janar 2012 i detyroi deputetët e PDK-së ta rrëzojnë reciprocitetin me Serbinë, njeriu që mbanë përgjegjësinë kryesore për mosanëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ky njeriu nuk mund të udhëheq më apo të përfaqësoj në këtë proces”, u shpreh Kurti, duke theksuar se është i nevojshëm plani 4+1 para çfarëdo dialogu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: