Nga: MENTOR KIKIA *
Harta e re territoriale do të prodhojë për herë të parë një pushtet vendor më të përqendruar, duke i dhënë fund copëzimit të Shqipërisë në qindra parcela, ku çdo kryetar bashkie e komune sillej si të ishte pronar i saj. Edhe dilema e opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje me këtë hartë ka marrë fund, kështu që në 21 qershor shqiptarët do të votojnë për kryetarët e vetëm 61 njësive vendore, të cilët do të kenë nën administrim jo vetëm zona më të mëdha, por edhe më shumë kompetenca, për të pasur mundësi të vetëqeverisin sa më mirë zonat e tyre.
Pushteti aktual vendor nuk ka kaluar vetëm për shkak të copëzimit e për pasojë pamundësisë për të qenë më vetëveprues si dhe mundësisë për të zbatuar projekte më të mëdha e më të dobishme për komunitetin. Më shumë se kaq, ai ka vuajtur nga ata që kanë pasur dhe kanë drejtuar. Tashmë janë të njohura epitetet si “bejlerët”, “bajraktarët”, “pashallarët” etj., etj., që u janë adresuar atyre që kanë nga 2 deri në 5 mandate që “drejtojnë” pushtetin vendor. Përmes vjedhjes së fondeve dhe korruptimit apo blerjes së votës, ky soj pushtetarësh kishte ndërtuar mekanizimin e riciklimit të pushtetit tyre, duke devijuar demokracinë. Nuk ka nevojë më për prova për të treguar degradimin e pushtetit vendor në këtë vend deri në neveri. Prokuroria njoftoi dy ditë më parë se në Mat një kryetar komune kishte blerë mbi 150 tonera në vit, bojë për printerin, ndërsa nuk kishte fare printer. Ndërsa ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj, tha në një debat televiziv se ka bërë gati dosjen për të denoncuar në prokurori dhjetëra kryetarë komunash e bashkish, të majta e të djathta, për vjedhjen dhe mashtrimin përmes skemës së ndihmës ekonomike. Sipas ministrit, skema ishte e tejfryrë, duke vjedhur shtetin dhe në të nuk ishin futur njerëzit që ishin realisht në nevojë, por të afërmit e kryetarëve dhe militantët e partisë apo ata që thjeshtë votonin për ta dhe në shkëmbim futeshin në këtë skemë. Me pak fjalë, ata kanë vjedhur ç’kanë mundur, sa fondet që u janë akorduar, duke mos bërë asnjë punë, sa paratë e qytetarëve drejtpërdrejt.
Kjo kastë hajdutësh është krijuar në mënyrë të vazhdueshme nga vetë partitë politike. Ata ose kanë qenë batakçinjtë më të dalluar dhe kanë dhënë garanci që marrin votat, ose kanë qenë njerëz të kamur që kanë paguar për të blerë kandidimin e pastaj për të blerë votat. Në mënyrë sistematike të dyja partitë kryesore shkatërruan jo thjeshtë qeverisjen vendore përmes këtyre soj njerëzve, por shkatërruan shpresën e njerëzve e akoma më keq, institucionalizuan blerjen e votës si forma më e degjeneruar e demokracisë. Sot, veçanërisht në zonat rurale, votuesit ta përplasin në surrat pa drojë nëse i pyet se për kë do të votoni; ‘për atë që do të më japë më shumë para’ – të thonë. Duke argumentuar se të gjithë do të vjedhin njësoj, por të paktën t’i marrim paratë.
Tashmë parcelat e vogla të pushtetit u bashkuan dhe u krijuan “kooperativat” e mëdha. Por a mjafton kjo reformë për të përmirësuar cilësinë e pushtetit vendor? Padyshim që jo! Nëse partitë do t’u paraqesin sërish shqiptarëve për votim këtë soj që kanë ende në pushtet, apo të ngjashmit e tyre që janë gati të paguajnë çdo ofertë për të fituar kandidimin, atëherë asgjë nuk ka për të ndryshuar. Përveçse ata hajdutët do të bëhen hajdutë më të mëdhenj. Nëse partitë do të nisen sërish t’i përzgjedhin kandidaturat mes atyre që të vetmen aftësi kanë të marrin votat përmes forcës, blerjes apo çdo formë tjetër, atëherë jemi sërish këtu ku jemi. Duhet të jemi koshientë. Nuk ishte faji i hartës territoriale që pushteti vendor degjeneroi. Faji ishte i njerëzve që i drejtuan këto njësi, edhe pse të vogla. Dhe nëse partitë nuk do të dinë të përzgjedhin njerëzit, por do të mbështeten sërish te tregtarët dhe të fortët, atëherë sërish pushteti vendor s’ka për të qenë kurrë një qeverisje e vërtetë për qytetarët.
Kushtet në të cilat ndodhet shoqëria jonë bëjnë urgjentisht të nevojshme një ndryshim rrënjësor të mentalitetit të qeverisjes vendore. Kryetarët e bashkive duhet të kuptojnë se nuk janë aty vetëm për të dhënë leje ndërtimi për pallate, por për të bërë më të banueshëm edhe në aspektin social qytetet dhe fshatrat. Pushteti vendor duhet të marrë përgjegjësi për zhvillimin e qytetit, por edhe për edukimin dhe argëtimin e komunitetit. Por tregtarët dhe pronarët e firmave të ndërtimit që qeverisin sot qytetet shqiptare nuk mund të prodhojnë të tilla ide. Aq më tepër kur ata i kanë shndërruar qytetet në kantiere ndërtimi apo tregje të bizneseve të tyre private.
Tashmë është e vjetër historia e bordellos që nuk siguronte dot klientë. Pronari i saj ndërroi ngjyrën e çarçafëve, por sërish nuk pati sukses. E leu ndërtesën me bojë të re, por sërish klientët nuk vinin. Derisa dikush i tha se duhet të ndërrosh prostitutat, jo ngjyrën e ndërtesës.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: