TIRANE- Avokati i Gentian Trenovës, Saimir Lame e ka cilësuar të padrejtë dhe të ndikuar vendimin e dhënë pak më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për të shkarkuar Prokurorin e Gjykatës së Apelit. Ai ngriti pikëpyetje të shumta mbi metodologjinë e përdorur nga KKP-ja për të vlerësuar pasurinë e magjistratëve shqiptarë.

Është një vendim totalisht i padrejtë dhe thellësisht i gabuar. Pas dy dekadash kontribut në sistemin e drejtësisë, prokurori ka deklaruar pasuri të vetme një apartament 50 metra katrorë, një ndërtim i kokës së diktuaturës në vitet 70. Kjo është pasuria e tij e vetme për të dhe familjen e tij. Megjithatë ky standard pasurie u gjet i papërshtatshëm për të kaluar me sukses kriterin e vlerësimit të pasurisë. Nëqoftëse as ky standard nuk vlen për komisionin për të kaluar vettingun, diçka është shumë gabim me metodologjinë që po përdor ky komision me të gjithë magjistratët”,- u shpreh ai.

Por çfarë ndodhi sot gjatë seancës publike ku u konkludua se zoti Trenova kishte probleme me pasurinë e tij. Gazetarja Klodjana Lala raportoi për “BalkanWeb” se ndonëse pasuria ishte modeste, një apartament 50 metra katrorë i blerë në vitin 2007, KKP-ja u shpreh se fshehja e pasurisë ishte fakti se Trenova kishte paraqitur dy deklarata noteriale, tek e para thoshte se e kishte blerë 40 mijë euro, dhe tek tjetra 1.9 milionë lekë.

Gjatë seancës dëgjimore “BalkanWeb” mëson se ka pasur debate me vëzhguesin e ONM-së, Theo Jacobs (belg) i cili replikoi ashpër me zotin Trenova. Ai ishte personi që e vuri me shpatulla pas murit këtë të fundit, në lidhje me dy deklarimet për apartamentin, duke shtuar se duhet të pranonte njërën nga të dyja: Ose që kishte fshehur pasurinë, ose që kishte bërë deklarim të rremë.

Nga ana e tij Trenova u përpoq që ta justifikonte pasurinë e tij si të ligjshme. Pas seancës ai nuk preferoi të bëjë asnjë koment për mediat.

Megjithatë, siç theksoi edhe gazetarja Lala, “Ka një diskutim të madh pasi ligji parashikon që një gjykatësi apo prokurori mund të nxirret jashtë radhëve të drejtësisë vetëm në rast se nuk justifikon dot dyfishin e pasurisë së ligjshme. Në rastin e Trenovës nuk kemi të bëjmë me një pasuri të dyfishtë, por duhet pritur shkalla e dytë e vettingut”.

Në kohën që në KKP po zhvillohej seancë për Trenovën e pas tij pritej të shqyrtohej rasti i Ilir Toskës pati edhe një protestë të shoqërisë civile. Ata mësohet të kenë kërkuar mos zvarritjen e këtij procesi nga KKP-ja me qëllim nxjerrjen nga sistemi të magjistratëve të korruptuar.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: