TIRANE- Kasëm Lila, burri i cili mbrëmjen e sotme vrau me çifte gruan e tij dhe plagosi kunatën në Ndroq, njihej si një person i qetë nga banorët e zonës. Familjarët dhe fqinjët e tij thotë se shkak për ndryshimin e gjendjes së tij u bë sëmundja e rëndë që iu shfaq para disa kohësh.

Vite më parë Lila iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale për të hequr një masë tumorale në kokë, dhe prej asaj kohë ishte trajtuar me ndihmë ekonomike në formë kempi, në mënyrë që të përballonte shpenzimet për mjekimet.

Por tre jave më parë, kjo ndihmë ekonomike i është ndërprerë dhe ai është gjendur i pashpresë përballë vështirësive ekonomike, në të cilat familja e tij jetonte.

I gjendur në këto kushte, ku nuk mund të blinte ilaçet, Kasëm Lila ka shfaqur shenja frike për jetën e tij, duke u bërë nervoz. Shenjat e depresionit dhe nervozizmi të shfaqura ditët e fundit kishin shkaktuar edhe konflikte brenda familjes.

Nisur nga situata në të cilën ai ndodhej, përveç familjarëve, në shtëpinë e tij vinin shpesh edhe vëllai dhe kunata për t’i qëndruar pranë.

Por mbrëmjen e sotme nervozizmi i Lilës ka shkaktuar një tragjedi në familje. Pas një konflikti me gruan e tij, Afize Lila, 47 vjeç, Kasëmi ka marrë një armë zjarri gjahu, çifte, të cilët e kishte në banesë dhe ka qëlluar ndaj bashkëshortes.

Në këtë moment ka ndërhyrë edhe kunata e tij, e cila ka mbetur e plagosur me një plumb në shpatull, e cila fatmirësisht mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: