Nga: BLENDI FEVZIU*
Kush është Emiljano Shullazi? Kjo pyetje e shtruar rëndom këto ditë në mediat dhe emisionet televizive, ka marrë një përgjigje që më së shumti, ka shkuar drejt profilit të personit problematik dhe bëmave të tij. Nuk ka asnjë dyshim që edhe ato kanë rëndësinë e tyre, madje një rëndësi të madhe për të cilën prokuroria duhet të hetojë. Por personalisht besoj se Emiljano Shullazi shkon përtej emrit konkret. Më shumë sesa një person me gjithë veset e tij, ai përfaqëson një fenomen, një fenomen që ilustron më mirë gjendjen e Shqipërisë që kemi sot.
Emiljano Shullazi është tendenca e vazhdueshme e politikës për t’u lidhur me botën e krimit dhe për ta përdorur atë. Është bastardizimi i gjithë parimeve dhe normave politike në surrugatllëk, ku dominimi i pushtetit është më i rëndësishëm sesa shërbimi ndaj qytetarit.
Emiljano Shullazi është dështimi i konkurrimit dhe zgjedhjeve të lira, kudo që janë ato. Në politikë, në zgjedhje parlamentare apo lokale, në sport, në universitete, madje edhe në organizatat rinore. Është filozofia e ngulitur se zgjedhjet janë më kollaj të vidhen e të manipulohen sesa të fitohen.
Emiljano Shullazi është dështimi i sistemit të drejtësisë, është shembulli më i mirë i një fjalie mbresëlënëse në shoqërinë e sotme. Ajo sipas së cilës, në Shqipëri ka drejtësi, por është pak e shtrenjtë! Është shitja e shtetit dhe institucioneve të tij te shkelësit e ligjit, sipas një parimi fare të thjeshtë: Shërbimi më i mirë i takon atij që paguan më mirë, dhe jo atij të cilit ke detyrim t’ia ofrosh, d.m.th. qytetarit. Emiljano Shullazi është dështimi i procesit të kthim-kompensimit të pronave, një proces i deformuar, që ka prodhuar më shumë pronarë falsë sesa realë. Një proces që meriton më së miri sloganin: Prona shkon jo tek ai që i takon, por tek ai që e zapton ose e merr me dhunë.
Emiljano Shullazi është dështimi i mediave. I të gjithë atyre gazetarëve që nuk kanë kurajë t’i thonë të vërtetat, ose i deformojnë me qëllim ato. I gjithë atyre që të hënën në mbrëmje i zuri gripi dhe i mbyti kolla kur ftoheshin në një emision ku do flitej për të.
Emiljano Shullazi është dështimi i biznesit dhe sipërmarrjes së lirë. Dështimi i atyre që tentojnë t’i zgjidhin problemet e tyre me të fortë dhe dështimi i atyre që nuk i denoncojnë presionet apo gjobat që iu vënë. Emiljano Shullazi është përçudnimi i një ëndrre që mendohej krejt ndryshe në vitin 1990-1991. Nuk është ai as fajtori, as mëkatari më i madh, në një vend ku mëkati u takon të gjithëve nga pak dhe ku të gjithë kontribuojnë që ky vend të dominohet nga shullazët dhe të ngjashmit e tij. Është mitizimi i botës së krimit, që krijohet dhe stimulohet për t’i shërbyer politikës dhe në fund merr peng atë. Dhe bashkë me të, gjithë shoqërinë!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: