ITALI – Shqiptari Ermal Meta ka triumfuar në festivalin më të madh të këngës në Itali ‘Sanremo 2018’ duke u shpallur ftues i këtij kompeticioni së bashku me kolegun e tij Fabrizio Moro me këngën ‘Non mi avete fatto niente’.

Ermal Meta ka arritur të bëjë krenar çdo shqiptar me suksesin e tij. “Non mi avete fatto niente” është kënga që do të përfaqësojë Italinë në Eurovision në Lisbonë të Portugalisë.

Kënga është një himn kundër terrorizmit dhe në tekstin e saj përfshihen shumë raste të ndodhura në të shkuarën. Por kjo nuk është hera e parë që këngëtari shqiptar konkurron dhe fiton çmim në Festivalin e Sanremos.

Në vitin 2016 në garën e Sanremos, Ermali kualifikohet për në finale në katër të fundit, në seksionin e propozimeve të reja, duke arritur në vendin e tretë pas Francesko Gabbani dhe Chiera Sello me “Odio le favole”.

Vitin e kaluar kantautori shqiptar konkurroi mes emrave të njohur të muzikës italiane dhe rrëmbeu vendion e tretë me këngën”Vietato morire” (E ndaluar të vdesësh), e cila trajton një temë të fortë: atë të dhunës në familje. Por kush është Ermal Meta? Ermali ka lindur në Fier dhe që në moshën 13-vjeçare jeton në Itali.
Ermal Meta ka nisur karrierën e tij me grupin Ameba e më pas me La Fame di Camilla, me të cilin qe paraqitur në Sanremo në kategorinë e të rinjve në vitin 2006, e më pas në 2010.

Prej disa vitesh ai po paraqitet si solist, por është shumë i vlerësuar për kompozimet. Ka shkruar disa prej këngëve më të njohura të Patty Pravos, Marco Mengonit e Giusy Ferrerit. Nuk kanë munguar edhe këngët në shqip që kanë zënë vend në albumet e tij.
(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb