Shefja e Sektorit të Mbrojtjes Kibernetike në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes AISM, në Ministrinë e Mbrojtjes, ka hakeruar kompjuterin e drejtorit të kësaj agjencie duke kopjuar gjithçka që ai kishte në kompjuter.

Ky veprim përveçse alarmoi drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, pasi ishin thyer masat e sigurisë kibernetike, në agjencinë, që duhet të garantonte të dhënat kibernetike të Ministrisë së Mbrojtjes, që është edhe pjesë e NATO-s, ka pasjellë edhe dënimin e hakeres Elfrida Bardhanjori me 18 muaj në shërbim prove.

Kjo e fundit, duke qenë shefe e sektorit të mbrojtjes kibernetike, ka shfrytëzuar serverin e agjencisë për t’u futur ilegalisht dhe kopjuar të gjitha të dhënat në kompjuterin e drejtorit të AISM në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Kam marrë gjithë informacionin që ndodhej në kompjuterin e Drejtorit të Përgjithshëm me qëllimin për t’i bërë kopje të gjithë informacionit që ky drejtor dispononte, meqenëse për të kishte dalë urdhri i largimit nga detyra”, ka thënë Bardhanjori.

Pasi ndërhyrja kompjuterike është zbuluar, e pandehura Bardhanjori ka fshirë të gjithë informacionin e kopjuar si dhe logfilet nga kompjuteri i saj. Nga ekspertiza kompjuterike e kryer për këtë rast ekspertët nuk kanë mundur dot të përcaktojnë se çfarë materialesh janë kopjuar nga kompjuteri i Drejtorit të Agjencisë se Inteligjencës dhe Sigurisë.

Ndërsa gjykimi i shkurtuar nuk lejon deklarimet e të pandehurës në gjykim, pasi procedohet direkt me konkluzionet përfundimtare. Nga ana tjetër, burime nga Ministria e Mbrojtjes kanë deklaruar për Top Channel se nga rasti në fjalë nuk janë kopjuar apo shpërndarë materiale me karakter sekret, as të ushtrisë shqiptare dhe as të alencës e NATO-s, ndërsa nuk kanë specifikuar natyrën e informacioneve që janë kopjuar në mënyrë të kundërligjshme. /Top Channel/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb