TIRANË- Analisti dhe gazetari Lorenc Vangjeli ka komentuar nga studio e News24 situatën politike, kabinetin e ri qeveritar dhe prurjet e reja. Në rubrikën “Opinion” duke folur për ministrat, Vangjeli përmendi disa nga emrat e rinj apo ata të njohur publik që janë ‘basti i kryeministrit”. Bëhet fjalë për tre femra, Ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe Ministren e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Sonila Qato.

“Emrat e ministrave që mund të cilësoheshin si basti i kryeministrit, një bast i nisur me ministren Manastirliu apo zonjën Xhaçka apo një personazh i njohur i administratës zonja Sonila Qato apo dy prurjet e panjohura për publikun, qoftë zv.kryeministrja apo ministrja e drejtësisë, janë bastet e zotit Rama. Janë kuajt që do tërheqin karrocën e tij këto 4 vjet”, tha Vangjeli, raporton “BalkanWeb”.

Për sa i përket dy emrave të tjerë të zgjedhur nga Rama, si ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kryetarin e Parlamentit Gramoz Ruçi, Vangjeli tha se janë zgjedhje interesi pasi nuk janë figura që mund të kërcejnë sipas fishkëllimës së tij.

“Zoti Rama në disa segmente në qeveri ka bërë zgjedhje jo i shtyrë nga dashuria po zgjedhje interesi. Kryeministri ka tentuar të marrë në shumicën e tij dy personazhe, Xhafaj dhe Ruçi që për shkak të karrierës, rrethanave janë atyr por nuk dinë të thonë vetëm ‘Po’. Më shpesh thonë ‘jo’ se ‘po’”, tha Vangjeli.

Ai vuri në dukje disa mungesa, që po aq sa prania, shkëlqejnë në sfondin e fotos së kryeministrit.

“Është një pohim i të shkuarës, por unë do të komentoja mungesat e mëdha në këtë qeveri që bien sy. Në grupin e parë, bëjnë pjesë, Kodheli, Tahiri apo dhe Beqaj.

Dy të fundit, jashtëzakonisht aktivë, të rritur politikisht por të vënë edhe në shënjestër nga opozita. Ndërkohë që janë 3 emra të tjerë që nuk përmenden por nëse do ishte kuotuar ky basti ynë, do kishim 3 personazhe që janë pjesë e qeverisë Rama në hije, që është Vali Bizhga, zotin Fuga apo dhe sekretarin e përgjithshëm Engjëll Agaçi. Po aq sa prania, mungesa është ajo që shkëlqen në sfondin e fotos së kryeministrit”, u shpreh Vangjeli.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb