Emiri i Katarit Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani, priti dje këshilltarin e lartë të presidentit amerikan Jared Kushner, dhe të dërguarin special për negociata ndërkombëtare Jason Greenblatt, ku diskutuan një sërë çështjesh me interes të përbashkët, përfshirë procesin e paqes në Lindjen e Mesme, si dhe gjendjen humanitare në Rripin e Gazës.

Gjatë takimit u konfirmuan lidhjet e ngushta të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Katarit dhe Shteteve të Bashkuara në shumë fusha të ndryshme.

Në një deklaratë për shtyp lëshuar të enjten, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Emiri i Katarit u takua në Doha me Jared Kouchner dhe Jason Greenblatt, ku u shqyrtuan mënyrat e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Katarit, si dhe sigurimin e ndihmës humanitare për palestinezët në Gaza, në përpjekje të presidentit amerikan Donald Trump për menaxhimin e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Vizita e Kushner në Doha erdhi pas takimit të tij me mbretin e Jordanisë Abdullah II dhe Princin e kurorës saudit Mohammed bin Salman, gjatë të cilit u diskutuan hapat operative të marrëveshjes së ashtuquajtur “marrëveshje e shekullit”, si një mundësi për t’i dhënë rrugë çështjes palestineze dhe procesit të paqes në Lindjen e Mesme.

Më herët, Kushner dhe Greenblatt takuan në Kajro presidentin egjiptian Abdel Fattah Al-Sisi, në prani edhe të ministrit të jashtëm egjiptian Sameh Shukri dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Inteligjencës Abbas Kamel.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb