TIRANË- Kuvendi çeli sot, sesionin e fundit të tij për këtë legjislaturë. Në këtë sesion pritet që deputetët të kenë mjaft punë për disa ligje të tjera që plotësojnë reformën në drejtësi, por ata duhet të mbyllin me shpejtësi edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të bërë të mundur reformën që do ta çojë vendin në zgjedhjet e 18 qershorit, ashtu siç tha në nisje të punimeve edhe kryeparlamentari, Ilir Meta.

“Angazhimi kryesor mbetet përfundimi i reformës zgjedhore, miratimi i ndryshimeve në kodin zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR”, ndryshime të cilat duhet të bëhen me konsensus, sipas tij.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka në nisje të seancës u shpreh se për opozitën çështje parësore mbetet zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, që sipas tij garantohet vetëm me ndryshimet në kod, ndër më kryesoret, votimi dhe numërimi elektronik, siç kërkon edhe opozita.

Partia Demokratike parashtroi me anë të kreut të Grupit Parlamentar, Edi Paloka pesë kushtet e saj për zgjedhjet e ardhshme. Kushtet janë pjesë e një memorandumi, që Paloka tha se është nënshkruar nga 20 parti parlamentare dhe jo parlamentare.

Së pari, opozita kërkon realizimin e identifikimit biometrik të zgjedhësve, votimin elektronik dhe numërimin elektronik të votave përmes një sistemi në shkallë vendi.

Së dyti, demokratët kërkojnë dekriminalizimin përmes zbatimit të ligjit për dekriminalizimin dhe largimin e bandave dhe elementëve kriminalë nga fushata zgjedhore dhe qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve.

Së treti, kërkohet ulja e kostos së fushatës përmes reduktimit drastik të shpenzimeve, transparencë për burimet financiare si dhe të forcohen penalitetet përfshirë cilësimin e shit-blerjes së votës si krim i rëndë.

Së katërti, të ndalohet përdorimi i burimeve njerëzore të administratës në fushatë dhe struktura partiake, po ashtu edhe materialet e administratës.

Së pesti, akses i drejtë në media dhe mbulim mediatik dhe normim i hapësirës publicitare në fushatën zgjedhore.

“Opozita parlamentare çështje të saj parësore ka zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Garantimi i votës së lirë, rikthimi i besimit tek qytetarët se vota e lirë dhe e pacënuar do të vendosë për të ardhmen e tyre. Shqiptarëve duhet t’ju rikthehet besimi tek vota e lire, se do shkojë atje ku ata duan dhe do numërohet drejt. Prandaj 20 parti nënshkruan sot një memoriandum sipas tij”,-tha ai.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: