Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Për miratimin e demarkacionit, nevojiten 80 vota nga 120 deputetë që ka parlamenti i Kosovës. Ende nuk dihet nëse Kuvendi i Kosovës i ka siguruar votat e domosdoshme. Koalicioni qeverisës, me mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga opozita, pretendon se i ka 78 – 79 vota, ndërkaq shpresohet se deri sot, do të arrihet të sigurohet edhe mbështetja e një apo dy deputetëve tjerë në mënyrë që të plotësohet numri i nevojshëm i votave për ratifikimin e demarkacionit.

Gjatë këtij viti, në tri raste Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seanca plenare për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, por nuk ka arritur të kalojë në procedurën e votimit, për mungesë të votave.

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Ndërkohë, Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, por jo edhe ai i Kosovës, për shkak të mungesës së konsensusit të brendshëm.

Ratifikimi i kësaj marrëveshje, mbetet kusht i parafundit i vendosur nga Komisioni Evropian për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: