KOSOVË-Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash, kanë miratuar rreth orës 01:30 pas mesnate ligjin për Trepçën.

Projektligji për Trepçën, në leximin e dytë, është miratuar me 79 vota për, nga 93 deputetë sa ishin në sallë. Kanë abstenuar 14 deputetë, kurse asnjë votë nuk ka qenë kundër.

Brenda një seance maratonë që ka zgjatur më shumë se 10 orë është miratuar në lexim të parë dhe të dytë ligji që e bën Qeverinë e Kosovës me 80% dhe punëtorët me 20% aksionerë të gjigantit ekonomik të Kosovës.

Para se të votohej projektligji, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa ka paraqitur ndryshimet që janë bërë në Projektligjin për Trepçën, duke thënë se nuk është ndryshuar thelbi i Ligjit.

“Në tri amendamente kemi forcuar rolin e Kuvendit. Aksionarët nuk mund ta aprovojnë statusin e tyre pa miratimin e Kuvendit. Gjithashtu, është me rëndësi se në pikën tjetër Kuvendi duhet të japë pëlqimin lidhur me shfrytëzimin e resurseve natyrore dhe tjetërsimin e aseteve”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se shpërndarja e aksioneve nga “Trepça SHA” do të përcaktohet me një akt nënligjor.

“Jemi marrë gjithashtu me mbetjet teknologjike, të cilat Trepça do t’i trajtojë në bazë të parametrave mjedisorë dhe të studimit të fizibilitetit”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se është diskutuar edhe për asetet e Trepçës jashtë Kosovës.

“Ne kemi obliguar AKP-në që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e pasurisë së Trepçës jashtë Kosovës”, ka thënë Mustafa.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: